E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Lulos, në përgjim një i dyshuar

Prokuroria shprehet se për ekzekutimin e Takut të Yzberishtit hetimet mbeten në “terr”

Hetimet për vrasjen e Elton Lulos dhe të Spartak Canajt ende nuk kanë nxjerrë në dritë emra konkretë për ekzekutuesit. Sa i përket viktimës së parë, prokuroria shpjegon se ka nën përgjim një të dyshuar, ndërkohë që për rastin e Canajt, i cili njihej ndryshe si Taku i Yzberishtit, nuk ka asnjë të dhënë konkrete që mund të çojë në arrestimin e autorit.

Vrasja e Lulos

Sipas të dhënave hetimore, pas dy muajsh hetime, grupi i punës ka identifikuar një të dyshuar për vrasjen e Elton Lulos, i cili u ekzekutua më 5 prill, kur ishte nën shoqërinë e një miku të tij në një lokal në Tiranë. Burimet nga grupi hetimor shpjegojnë se vrasja e 29-vjeçarit mbetet tejet e vështirë për t’u zbardhur, për shkak të dëshmitarëve, ku të gjithë janë shprehur se nuk e kanë parë dhe nuk e njohin autorin e saj. Megjithatë, nga informacionet e mbledhura, qoftë edhe nga dyshimet mbi aktivitetin e Lulos, prokuroria ka ngushtuar rrethin e hetimeve mbi një person. Nga të dhënat mësohet se ai është në përgjim prej disa ditësh dhe mendohet se mund të jetë autori që ka kryer këtë krim, megjithëse ende nuk lidhet një motiv i mundshëm për ekzekutimin e tij. Kjo ka sjellë dyshime te grupi i punës, se vrasja mund të ketë qenë e porositur nga persona të tjerë, me të cilët 29-vjeçari Lulo do të ketë pasur konflikte. Sipas të dhënave zyrtare të policisë kryeqytetase, 29-vjeçari u qëllua rreth orës 21.45 të datës 5 prill, në rrugën “Sulejman Delvina” në Tiranë, në ambientet e lokal “Cozmos”, ku mbeti i plagosur edhe miku i tij, Bledar Caca, 27 vjeç. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e parandalimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë dhe u formua grupi i posaçëm hetimor, i cili kreu menjëherë veprimet e para hetimore e procedurale, duke administruar të gjitha provat. “Gjatë asaj nate, specialistët e seksionit të krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, kanë marrë deklarime, duke shoqëruar 35 persona si të dyshuar për këtë ngjarje. Pas hetimeve të bëra rezultoi se viktima ishte i punësuar si menaxher pranë bar “Apple”, ku gjatë momenteve të ngjarjes ka qenë në tavolinë së bashku me mikun e tij në ambientet e bar “Cozmos”, i cili është plagosur lehtë në pjesët e duarve dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Taku i Yzberishtit

Ndërsa për vrasjen e Takut të Yzberishtit, që ndodhi rreth një javë para Lulos, policia ka dyshime se autori mund të jetë profesionist, pasi nuk ka lënë gjurmë dhe identifikimi i tij është tejet i vështirë. Gjithashtu, policia nuk hedh poshtë mundësinë se një vajzë mund të dijë shumë rreth kësaj vrasje, që ende mbetet një dosje pa autor. Prokuroria e Tiranës ka verifikuar çdo të dhënë për vrasjen e datës 30 mars në Tiranë, ku në afërsi të stadiumit “Dinamo” është ekzekutuar 35-vjeçari Spartak Canaj. Në skanerin e grupit hetimor kanë kaluar tabulatet telefonike të viktimës, si dhe janë marrë në pyetje personat që janë takuar së fundi me Spartakun. Ka dyshime se rreth një orë e gjysmë para ngjarjes, Taku është grindur me një mikeshën e tij në një nga lokalet e Tiranës. Më pas është larguar me shpejtësi dhe kjo ngjarje konsiderohet si një pistë e mundshme për ekzekutimin e tij. Janë ngritur tri pista. E para ka të bëjë me një konflikt të vjetër me ish-shokun e tij, e dyta ka të bëjë me një çështje pronësie dhe e treta, por jo nga rëndësia, është konflikti i 35-vjeçarit për një femër. Në vitin 1991, ai është dënuar për veprime të pamoralshme në dëm të shoqërisë. Në vitin 1996 është dënuar për plagosje dhe dënimi i fundit është në vitin 2003, ku është dënuar për rrëmbim të mbetur në tentativë dhe kanosje, për të cilën u dënua me 11 muaj burg.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›