Vlorë, banorët e Orikumit bllokojnë urën, në protestë për pronat
Rreth 100 banorë të Orikumit kanë bllokuar urën që lidh Vlorën me Orikumin dhe zonën e Himarës. Ata u shprehën dje në protestë se kërkojnë zbatimin e ligjit 7501, ashtu siç ka ndodhur edhe në zona të tjera. "Tokat tona i kanë marrë të tjerët me këtë ligj, ndërkohë që ne nuk i marrim dot po me të njëjtin ligj", u shprehën banorët.
Protesta ka qenë në vijimësi të reagimeve të nisura ditë më parë në lidhje me zbatimin e ligjit 7501, ku për rreth dy orë nuk u lejuan punonjësit e administratës së bashkisë të hynin në zyrat e tyre. Parullat "Zbatoni ligjin 7501" dhe "Mos luani me çështjet e pronave", kanë mbizotëruar gjatë protestës. Banorët, ish-punëtorë të ndërmarrjes bujqësore "Rinia" në Orikum thanë se janë mbledhur aty për protestuar për tokën, si dhe për moszbatimin e ligjeve të parlamentit për tokën, duke ju referuar ligjit 7501. Protesta e djeshme, si dhe ajo e pak ditëve më parë në Orikum, nga ish- punonjësit e NB Rinia, sipas protestuesve, e ka marrë shkëndijën nga vendime që janë marrë nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave. Bëhet fjalë për afro 450 ha tokë, tek të cilat ka mbivendosje. Ish-punonjësit pohojnë se ato janë toka mbi të cilat vepron ligji 7501, por komisioni i kthimit dhe kompensimit ka dhënë për to certifikata pronësie. Protestuesit thanë se këta janë pronarë të rremë. "Kjo tokë ka qenë moçalishte dhe ne e kemi hapur me duart tona. Asnjë pronar nuk ka pasur në to. Por ky nuk është abuzimi i vetëm. Kjo tokë që ka qenë nën ujë dhe e pyllëzuar, është kthyer si tokë are. Ne kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit, kërkojmë atë çka ligjërisht na takon.", pohon një nga protestuesit.