E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, bllokohet ndërtimi tek Uji i Ftohtë

Konflikti Ish-punëtorët e NB-së shembin portën dhe gardhin rrethues

Zona e Ujit të Ftohtë, sërish arenë përplasjesh mes banorëve dhe punëtorëve të firmave të ndërtimit. Dhjetëra banorë kanë hyrë dje me forcë në zonën e rrethuar nga firma e ndërtimit, duke kërkuar të drejtën e tyre të përfituar në bazë të ligjit 7501.

Pas kësaj ata kanë ndërhyrë në prishjen me forcë dhe hapjen e portës, me të cilën është rrethuar sipërfaqja prej 45 mijë metrash katrorë. Banorët kanë bërë të ditur se për këtë çështje është sensibilizuar dhe vetë Kryeministri i vendit, dhe tanimë punimet për ndërtimin e kompleksit me pallate janë ndërprerë. Ish-punonjësit e NB-së Frutore, pasi kanë shqyer gardhin rrethues, janë përballur dhe me forcat e rendit, të cilat pasi kanë dëgjuar dhe shqetësimin e tyre, kanë pezulluar punimet me anë të policisë ndërtimore. Më tej protestuesit janë shpërndarë paqësisht, por kanë paralajmëruar për protesta të mëtejshme. Ata kanë kërcënuar se do ta bllokojnë tërësisht rrugën nacionale, sikundër ndodhi rreth tri javë më parë.

Aktualisht në zonën pranë vilave qeveritare, në Ujë të Ftohtë, është dhënë një leje ndërtimi, e cila ka shkaktuar konflikt palësh. Nga njëra anë janë pronarët, ish-punëtorë të NB Frutore Vlorë, që e kanë përfituar këtë tokë në bazë të ligjit nr. 7501, dhe nga ana tjetër janë personat që kanë përfituar lejen e ndërtimit. Realisht toka në fjalë figuron të jetë në procese gjyqësore mes palësh, ndërkohë që ndërtuesit kanë kufizuar sipërfaqen prej rreth 45 mijë m2 tokë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›