Ekzekutimi i Lulos, identifikohet dhe shpallet në kërkim i dyshuari
Identifikohet i dyshuari për vrasjen e Elton Lulos, menaxher i një lokali nate, i cili dyshohet se u ekzekutua për çështje borxhi. Policia ka marrë në pyetje edhe shokun e tij të plagosur, që ka deklaruar se nuk ka mundur ta njohë autorin, pasi ka qenë me kurriz në momentin kur ka ndodhur krimi. Por, policia ka shoqëruar mbi 35 dëshmitarë, nga të cilët ka mbledhur shumë të dhëna dhe ka shpallur në kërkim të dyshuarin.
Policia e kryeqytetit, e cila po heton vrasjen e Elton Lulos, menaxher i lokalit “Apple”, ka mundur të identifikojë një të dyshuar. Për këtë krim janë mbledhur 35 dëshmitarë, duke u nisur që nga të pranishmit në lokal, kur ndodhi krimi, familjarët e viktimës, por edhe kolegët e punës së tij. Sipas të dhënave, dëshmitarët në lokalin ku ndodhi atentati, kanë deklaruar se autori, i cili ishte trup mesatar, mbante një kapele në kokë, që e kishte ulur përpara që mos t’i dallohej fytyra. Ai ka shkuar përballë 29-vjeçarit Lulo, duke nxjerrë një pistoletë. Ai ka qëlluar disa herë mbi të, duke mos kursyer edhe shokun që e kishte në tavolinë, Bledar Cara, 27 vjeç. Më pas, ai është larguar me shpejtësi nga lokali, duke shfrytëzuar rrugicat pranë lokalit dhe është zhdukur pa lënë gjurmë. Dëshmitarët në lokal kanë mundur të tregojnë sesi ai ishte i veshur sportiv dhe me xhinse, por asnjë nuk mund të tregonte identitetin e tij.
Nga ana tjetër, policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e Lulos, sidomos babanë e tij, Pëllumb Lulo. Madje, në momentin që e kanë marrë në pyetje, ai ende nuk e dinte që djali i tij kishte ndërruar jetë. Ai ka treguar se djali i tij nuk ka pasur konflikte të rënda dhe se sapo ishte fejuar. Megjithatë, ai nuk ka mundur të tregojë asnjë të dyshuar për këtë ngjarje, pasi asnjëherë ai nuk shfaqte probleme në familje. Më tej, policia ka marrë në pyetje edhe kolegët e viktimës, te lokali “Apple”, të cilët i kanë treguar se ai nuk kishte shumë që kishte filluar të punonte si menaxher në ato ambiente. Sipas tyre, gjatë kësaj kohe nuk ka pasur ndonjë konflikt për shkak të detyrës. Megjithatë, nga dëshmi të tjera policia ka mundur të zbulojë se Lulo kishte borxhe të ndryshme, pasi kishte pasur marrëdhënie të tilla me shumë persona. Në këto kushte kanë mundur të identifikojnë edhe një person, që situata me të kishte agravuar për shkak të një borxhi. Mbi këtë person janë edhe dyshimet konkrete të policisë, se mund të jetë autori i vrasjes, ose të ketë dijeni për këtë krim. Madje, ai është kërkuar nga forcat e policisë, por nuk është gjetur dhe për këtë arsye është shpallur në kërkim policor.
Ndërsa i plagosuri, i cili ka marrë vetëm një plumb në dorë, ka mundur të shpjegojë për forcat e policisë se çfarë kishte ndodhur, pavarësisht se nuk kishte mundur ta shihte autorin. Sipas dëshmisë së tij, në ato momente ka qenë me kurriz nga autori i krimit, i cili ka qëlluar disa herë radhazi dhe nga krismat është çorientuar, e nuk ka mundur ta shikojë, pasi gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe autori është larguar nga vendngjarja. Pas marrjes së mjekimit, ai është larguar nga spitali, pavarësisht se vazhdon të ruhet nga forcat e policisë.
Ndërkaq, pas ngjarjes, të interesuar për këtë krim kanë qenë edhe oficerët e Antidrogës, të cilët e mbanin nën vëzhgim viktimën për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas tyre, ai ishte shumë problematik dhe çështjet e borxhit mund të kenë ardhur edhe për shkak të pazareve të drogës. Por, ai nuk ka qenë asnjëherë i shoqëruar ose i ndaluar, pavarësisht se njihte shumë agjentë të policisë në terren.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë kryeqytetase, 29-vjeçari u qëllua rreth orës 21:45, në rrugën “Sulejman Delvina” në Tiranë, në ambientet e lokal “Cozmos”, ku mbeti i plagosur edhe miku i tij, Bledar Cara, 27 vjeç. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e parandalimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë dhe u formua grupi i posaçëm hetimor, i cili kreu menjëherë veprimet e para hetimore e procedurale, duke administruar të gjitha provat. “Gjatë natës së mbrëmshme, specialistët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, kanë marrë deklarime duke shoqëruar 35 persona si të dyshuar për këtë ngjarje. Pas hetimeve të bëra rezultoi se viktima ishte i punësuar si menaxher pranë bar “Apple”, ku gjatë momenteve të ngjarjes viktima ka qenë në tavolinë së bashku me mikun tij në ambientet e bar “Cozmos”, i cili është plagosur lehtë në pjesët e duarve dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
#