E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat greke, përfaqësuesi i romëve akuzohet për 13 raste

Korçë Vazhdojnë hetimet për lidhjet me organizatën greke

Hetimet e policisë pas arrestimit të kreut të shoqatës rome, Artur Lamova, pritet të dokumentojnë të paktën 13 raste në të cilat 43-vjeçari ka marrë para për sigurimin e vizave Shengen. Operacioni i policisë, i koduar “Viza e fundit”, ka arrestuar në kushtet e flagrancës kreun e shoqatës rome, kur ky i fundit është kapur duke marrë një shumë parash nga një shtetas, pasi ai kishte tërhequr pasaportën me një vizë të lëshuar nga konsullata greke në Korçë. Sipas policisë që ka ndjekur këtë rast, Lamova ka qenë nën vëzhgim prej kohësh, pas informacionit se ai nxirrte viza Shengen përmes konsullatës greke. Nga hetimet ka rezultuar se Artur Lamova merrte një pjesë të shumës në dorë dhe pasi plotësonte dokumentacionin për personin që kërkonte vizë, paraqiste në konsullatë në emër të shoqatës kërkesat për viza me aplikimet. Nga hetimet ka rezultuar se ai merrte 200 euro dhe pjesa tjetër e shumës dorëzohej pasi personat pajiseshin me viza. Më pas personat që paguanin kreun e shoqatës rome paraqiteshin direkt për të marrë vizën pranë konsullatës, pasi dokumentet dorëzoheshin në konsullatë nga Artur Lamova dhe i vëllai, Jani, i cili është çuar për ndjekje penale. Pjesa tjetër e pagesës kryhej pasi personi kishte siguruar vizën Shengen, një pagesë e plotë deri në 2000 euro. Policia bën të ditur se i arrestuari që përfaqëson një nga nëntë shoqatat rome në Korçë ka mundur të marrë para nga 13 persona, të cilët i ka pajisur me viza. Policia ka nisur hetimet për të dokumentuar me prova dhe fakte të reja shkeljet e kryera nga ana e Lamovës, duke përdorur emrin e shoqatës dhe të konsullatës greke. Ai hiqej si person i autorizuar nga ana e konsullatës për nxjerrjen e vizave greke, duke ju marrë personave, kryesisht të komunitetit rom, shuma të mëdha parash për viza. Ndërsa policia po siguron prova të tjera për kryetarin e shoqatës “Lëvizja për mbrojtjen e të drejtave rome” për plotësimin e dosjes, paralelisht nga Sektori i Krimit Ekonomik po hetohet në gjendje të lirë edhe kreu i “Omonia”-s, Spiro Lici.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›