Përgjysmohet dënimi për killer-in Ilir Paja
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka përgjysmuar dënimin për “killer”-in Ilir Paja, i cili akuzohet për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj disa punonjësve të policisë. Ai është dënuar nga Apeli me 6.8 vite burg, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me 15 vjet burg. Sipas Apelit, vrasja ndaj punonjësve të policisë që e ndiqnin për ta arrestuar është konsideruar aksidentale, pasi Paja nuk kishte asnjë dijeni se pas automjetit që drejtonte ta ndiqnin punonjësit e policisë. Ndërkohë, gjykata e ka cilësuar vrasjen aksidentale për të vetmin fakt se punonjësit e policisë nuk janë identifikuar në momentin që e kishin rrethuar. Prokuroria kishte kërkuar për Pajën në Shkallën e Parë masën e dënimit me 25 vjet burg, ndërsa mori vetëm 15. Edhe në Apel, masa e dënimit iu përgjysmua, ndërsa çështja pritet të shkojë edhe në Gjykatën Supreme. Ngjarja për të cilën Ilir Paja duhet të vuajë 6.8 vjet burg (sipas Gjykatës së Apelit) u shënua më 6 mars të vitit 2008, kur gjatë një operacioni policor për arrestimin e tij, ai plagosi rëndë një nga agjentët e Grupit Operacional Special. Duke ecur me shpejtësi mbrapsht, Paja përplasi agjentin i cili qëndronte mbi një motoçikletë. Në kohën e arrestimit, ndaj Pajës ekzistonte një urdhër-arresti ndërkombëtar për vepra penale të kryera në Gjermani dhe në Itali. Nga autoritetet italiane, Paja ishte “pagëzuar” me nofkën “UFO”, pasi kishte mundur të arratisej dy herë nga burgje të sigurisë së lartë. “Sapo ka parë policët që po i drejtoheshin atij, Ilir Paja ka reaguar duke lëvizur makinën prapa me shpejtësi. Ai ka marrë poshtë motorin e agjentit B.H., ndërsa mjeti ka vazhduar lëvizjen, duke kaluar trafik ndarësen dhe duke mbajtur nën vete zvarrë, motorin dhe agjentin e policisë”, do të deklaronte prokuroria gjatë gjykimit, ndërkohë që një pjesë e mirë e fakteve tashmë janë hedhur poshtë nga gjykatat. Një pikë e detajuar e të gjithë procesit ka qenë identifikimi i punonjësve të policisë, që kishin shkuar për ta prangosur. Paja deklaroi se nuk ka parë dhe dëgjuar asnjë shenjë “ndal policia”, ndërsa agjentët kanë deklaruar se janë identifikuar. Megjithatë, debati për këtë çështje do të zgjidhet nga Gjykata e Lartë, e cila do të vendosë masën përfundimtare të dënimit për “UFO”-n.
#