Vrasja e Takut, pyetet vajza që ndodhej në makinë
Vrasja e Spartak Canajt natën e 30 marsit në Tiranë ka pasur dëshmitarë okularë. Prokuroria e Tiranës dyshon se Taku është vrarë në prani të një mikeshe, të cilën po e shoqëronte për në shtëpi. Befas, dikush i ka prerë rrugën dhe ka qëlluar ndaj tij disa herë. Nga plumbat e marrë 35-vjeçari ka humbur jetën disa orë më vonë në Spitalin Ushtarak. Një grup hetimor është ngritur nga prokuroria dhe policia, të cilët kanë marrë në pyetje personat që ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes. Zona është krehur dhe në dhomat e shoqërimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka qenë e pranishme edhe një vajzë e re, emri i së cilës nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Vajza, sipas burimeve nga prokuroria, ka qenë e tronditur dhe është marrë në pyetje disa herë. Dyshohet se ajo ka qenë e pranishme në automjetin e Takut dhe ka parë autorin që ka qëlluar ndaj të njohurit të saj. Megjithatë, dëshmia e saj nuk e ka identifikuar autorin. Sipas të dhënave, vajza ka treguar gjatësinë e autorit, si dhe veshjen që mbante, pasi nga fytyra nuk e kishte parë, duke qenë se ngjarja ndodhi shumë shpejt. Ajo ka firmosur në procesverbal se autori mund të ketë qenë rreth 175-180 centimetra dhe ishte veshur me të zeza, ndërkohë në kokë mbante një kapele. Por të dhënat e përfituara nga vajza nuk u kanë shërbyer hetuesve të çështjes, të cilët kanë “gërmuar” për konfliktet e Spartak Canajt në të kaluarën. Dyshohet se Taku kishte disa konflikte, midis të cilave edhe për një vajzë. Nga të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Tiranës mësohet se në pyetje, krahas vajzës që ka qenë në vendngjarje, është marrë edhe një vajzë tjetër, e cila ka dëshmuar rreth konflikteve të Spartakut me persona konkretë. Të dhënat nuk publikohen për aq kohë se çështja është nën hetim, por burimet nga prokuroria dhe policia deklarojnë se tre janë pistat në të cilat po mbahet hetimit, ndërsa më kryesorja është konflikti për një femër.
Dy ditë më parë, Prokuroria e Tiranës tha se ka ngritur tri pista hetimore për vrasjen e Spartak Canajt, i konsideruar “i forti” i Yzberishtit. Pista e parë ka të bëjë me një konflikt të vjetër me një ish-shokun e tij, me të cilin ka pasur disa konfrontime. Për këtë pistë hetimore, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje personin konkret, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë ndonjë konflikt e aq më tepër që ta ketë vrarë. Pista e dytë hetimore ka të bëjë me një çështje pronësie. Disa javë para se të vritej, Spartak Canaj kishte pasur një konflikt me një ndërtues në zonën e Yzberishtit, ku i ekzekutuari kishte edhe pronat. Me gjithë verifikimet e hetuesve të çështjes, ende nuk ka ndonjë të dhënë që mund të hidhte dritë se vrasja ka ndodhur për çështje pronësie. Ndërkohë, pista e tretë, por jo nga rëndësia, është konflikti i 35-vjeçarit për një femër. Disa ditë para ekzekutimit, prokuroria ka marrë informacione se Canaj është konfliktuar me disa persona, ndërsa në pyetje është marrë edhe vajza, e cila ka pranuar se ka pasur një konflikt. Ndërkohë, prokuroria ka marrë në dorë tri vendime që Canaj është dënuar për ngritjen e pistave të reja. Ka të dhëna se Taku është dënuar tri herë. Në vitin 1991 është dënuar për veprime të pamoralshme në dëm të shoqërisë. Në vitin 1996 është dënuar për plagosje dhe dënimi i fundit është në vitin 2003, ku është dënuar për rrëmbim të mbetur në tentativë dhe kanosje, për të cilën u dënua 11 muaj burg.
Hetimet e prokurorisë kanë vijuar me verifikimin e telefonatave të Canajt ditën që është ekzekutuar. Personat që kanë kontaktuar me të janë paraqitur në prokurori dhe kanë dhënë variante se kanë folur me të për disa sqarime, ndërsa asnjë prej tyre nuk ka dhënë të dhëna për konflikte të mundshme të 35-vjeçarit. Ata thanë se Taku ishte një tip i hedhur dhe kishte shumë shoqëri.
#