Drejtuesi i tankut: Si i shpëtova masakrës së Cërrikut
Procesi gjyqësor për zbardhjen e masakrës së Cërrikut, ku u vranë gjashtë gardistë në vitin 1997, ka vazhduar dje me pyetjen e dëshmitarëve okularë, ku njëri prej tyre, Shpend Haklaj, ka pohuar se urdhrat për të shkuar në Cërrik i kanë marrë nga eprorët. Haklaj i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve Adnan Xholi dhe Anton Martini, ku saktësoi se Garda nuk ka qëlluar për asnjë çast mbi popullsinë civile, madje nuk iu përgjigj as zjarrit të “banditëve. Haklaj, aktualisht me detyrë gardist, tha se ishin katër blinda dhe dy transportues që u nisen drejt Cërrikut. Sa iu afruan qendrës së qytetit, ai kujtoi para trupit gjykues se janë ballafaquar me shkëmbim të fortë zjarri, por ata vetë, sipas gardistit, nuk janë kundërpërgjigjur pasi ishin pajisur vetëm me pistoleta. Haklaj tha se mbylli blindin duke u fshehur vetë brenda pa parë se ç’ndodhi më pas. “Kur tërhoqëm trupat na dhanë urdhër të merrnim viktimat dhe të plagosurit”, kujton Haklaj. Këtu kishte dëgjuar mbi të vrarët dhe të plagosurit ku përmendej si i tillë dhe emri i Agron Kuliçit, kurse vetë kishte parë pas masakrës një blind të djegur.
#