E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyn Ilir Meta, pritet riatdhesimi i pesë marinarëve

Pronari i “Brustel” thotë se ka prenotuar biletat e avionit për kapitenin dhe pesë anëtarë të ekuipazhit

Odiseja e marinarëve të anijes “Brustel” vazhdon. çështja ka mbërritur te ministri i Jashtëm dhe njëkohësisht zv/kryeministri Ilir Meta, që ka kërkuar nga pronari i anijes të mundësojë kthimin në atdhe të marinarëve që kanë mbetur në Misurata të Libisë. Pesë prej tyre pritet të kthehen natën e së mërkurës në Rinas, ndërsa të tjerët do të vazhdojnë të qëndrojnë në anije për të pritur pjesën tjetër të ekuipazhit që do të udhëtojë drejt Libisë. Dje marinarët që do të zëvendësojnë të ikurit, sipas deklarimeve të pronarit, kanë qenë në ambasadë. Ata do të nisen drejt Libisë për t’iu bashkuar pjesës tjetër të ekuipazhit prej 7 vetash të mbetur në anije dhe rinisur lundrimet nëpër dete. Pronari i kompanisë “Bruno sh.p.k.”, Alban Tepshi, deklaroi dje për gazetën se ka prenotuar biletat për pesë nga pjesëtarët e ekuipazhit, ku përfshihet kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku, tre mekanikët dhe kuzhinieri, ndërsa 7 të tjerët, pjesëtarë të ekuipazhit, do të vazhdojnë të qëndrojnë në anije për të vijuar punën në det. Katër mijë euro është vlera e biletave që pas ndërhyrjes së ministrit Meta, pronari i anijes ka paguar për të kthyer në atdhe një pjesë të marinarëve dhe pikërisht ata që kanë kundërshtuar qëndrimin në kushte të tilla dhe që janë bërë subjekt i një kallëzimi penal nga ana e Tepshit. Përkundrejt deklarimit të pronarit, familjarët e marinarëve që pritet të riatdhesohen, tregohen mosbesues. Ndjehen të lodhur nga situata dhe duket se kanë reshtur së shpresuari në një kthim të shumëdëshiruar. “është një mashtrim i radhës. Jemi interesuar për prerjen e biletave, por është bërë vetëm prenotimi dhe jo pagesa e tyre dhe kushdo mund të bëjë rezervim”, thonë familjarë të kapitenit. Ata mbeten në ankth, ashtu si të afërmit e marinarëve të tjerë të Brustelit, për fatin e njerëzve të dashur që ndodhen prej shumë muajsh larg. Në një komunikim që kanë pasur dje në mbrëmje me Ulqinakun, familjarët thonë se nuk ka asnjë të re. Askush nuk u ka thënë se kur do ta lenë anijen dhe do të kthehen në shtëpi. Edhe ata kanë pasur një komunikim me zyrat e kompanisë, ku u është thënë se janë rezervuar biletat, po më pas ka vijuar heshtja. Ndërkohë, udhëtimi nga Tripoli i Libisë drejt Rinasit me transit në Romë nis në orën 13:15 të së mërkurës dhe mbyllet rreth orës 23:15. Pas shkrimeve të ndryshme në gazetën “Shqip” për situatën nëpër të cilën po kalojnë marinarët e kësaj anijeje të flotës shqiptare dhe përpjekjeve të marinarëve për të siguruar kthimin e tyre në atdhe, pas disa muajsh bllokimi në Libi dhe më se një viti larg familjeve të tyre, rruga e kthimit duket e hapur për disa prej tyre. Ndërkaq, dita e nesërme do të tregojë nëse kthimi për një pjesë të marinarëve do të bëhet realitet apo jo. Të tjerët do të vazhdojnë lundrimet, duke zgjatur në kohë takimin me familjarët e tyre. Pronari i anijes “Brustel” thotë se ka një kontratë 9-mujore që duhet respektuar për transport mes Libisë dhe Turqisë. Ndërkohë, anija ngelet në Portin e Libisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›