E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dënohet me burgim të përjetshëm Kastriot Jaupi

VLORë- Dënim me burgim të përjetshëm. Gjykata e Apelit në Vlorë ka lënë në fuqi vendimin për burgim të përjetshëm ndaj shtetasit Kastriot Jaupi i akuzuar për vrasjen e një oficeri në Vlorë.

Në seancën e sotme gjyqësore Apeli i Vlorës ka dhënë përsëri të njëjtin vendim për Kastriot Jaupin, i cili në 30 dhjetor të vitit 2000 ka vrarë oficerin Ilir Ngresi

Jaupi, i njohur si një nga të "fortët" e Urës Vajgurore, u arrestua në Milano dhe para pak kohësh u ekstradua në Shqipëri pasi Gjykata e Vlorës e kishte dënuar me "burgim të përjetshëm".

Më datë 12 nëntor 1997, të pandehurit i vritet i vëllai i quajtur Ilir Jaupi gjatë një kundërveprimi me armë ndaj forcave të policisë, ngjarje kjo e ndodhur në vendin e quajtur Guri i Bardhë në Berat. çështja në fjalë është pushuar nga Prokuroria e Lushnjës për mungesë provash. Prindërit dhe vetë Kastriot Jaupi kanë fajësuar, veç të tjerëve, edhe shefin e policisë kriminale, Ilir Ngresi. Pas këtij momenti, i pandehuri ka planifikuar aktin e hakmarrjes. Ai ka kryer disa takime personale me Ngresin për sqarimin e çështjes. Më vonë ka nisur ta provokojë, duke i dalë herë pas here përpara me makinë, duke i xhiruar gomat dhe më vonë edhe duke i dërguar kërcënime me anë të bisedave telefonike.

Në datën 7 tetor 2000 organizon vrasjen, duke i zënë pritë Ilir Ngresit dhe shoferit të tij, policit Artimond Jaupi. Ai qëllon me breshëri me armë automatike në drejtim të tyre dhe të autoveturës. Sipas vendimit, vetëm njëra nga predhat e godet në trup Ilir Ngresin dhe i shkakton një plagë tejshkuese në supin e djathtë, duke e lënë vetëm të plagosur. Për të marrë hakun e të vëllait, Kastriot Jaupi organizon planin e dytë.

Ai ka shkuar shpesh në Vlorë për të mësuar banesën dhe vendin se ku qëndronte viktima, gjatë ditëve që kthehej pranë familjes, pasi ndodhej me detyrë në rrethin e Delvinës. Jaupi bashkëpunon me shtetasin Dritan Zhuka, person ky me të cilin organizon edhe vrasjen e oficerit të policisë Ilir Ngresi me datë 30 dhjetor 2000 në qytetin e Vlorës.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›