Policia e Fierit përkujton 96 vjetorin e krijimit të saj
/>Dita e djeshme përkonte me 96 vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, ditë kjo e cila mbushi ambientet e Policisë së Qarkut Fier me dhjetëra forca policie të sektorëve të ndryshëm. E konsideruar si një ditë e veçantë, dita e djeshme ka shërbyer për policinë për të treguar forcën jo vetëm formalisht për shkak të detyrës, por dhe praktikisht kur masat janë të nevojshme.
Të pranishëm në mjediset e policisë kanë qenë dhe flamurtarët e policisë, ata që për vite me radhë kanë kontribuar në radhët e uniformave blu. Fjalën e hapjes e mbajti shefi i Policisë së Qarkut Fier, Shemsi Prençi, i cili falenderoi këta efektivë për kontributin që kanë dhënë. Ai theksoi ndër të tjera se policia në sajë të reformave të ndërmarra po punon për ta shndërruar këtë sektor të rëndësishëm në një institucion civil të administratës shtetërore. Sipas Prençit, Policia e Shtetit është në shërbim të komunitetit në bazë të parimeve demokratike. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast përshëndeti edhe Prefekti i Qarkut Fier, Shahin Bejdaj, i cili në mënyrë të veçantë falenderoi familjet e policëve që ranë në krye të detyrës. Sipas Bejdajt, policia shqiptare ka vazhduar dhe vazhdon të qëndrojë në krye të detyrave që ka përballë qytetarëve të saj. Bejdaj theksoi se polica në qarkun e Fierit ka punuar me përkushtim, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Më pas ceremonia ka vijuar me një minutë heshtje të mbajtur në nder të policëve që kanë humbuar jetën gjatë ushtrimit të detyrës. Policia e Shtetit ka bërë sot 96 vjet që nga data e saj zyrtare e themelimit, më 13 janar të vitit 1913. Kjo ditë e veçantë u shoqërua dhe me një koncert nga nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Fierit.