Përplasen motoçikletat, një i plagosur rëndë
MALËSI E MADHE- Një 30- vjeçar ka mbetur i dëmtuar rëndë dhe është dërguar drejt Tiranës, pasi është aksidentuar në afërsi të fshatit Boriç në Vrakë të Malësisë së Madhe. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09.00 të ditës së djeshme kur tek kthesa drejt Boriçit janë përplasur dy motorçikleta të vogla. Drejtuesi i njërit prej mjeteve, Agron Çokaj 30 vjeç, nga fshati Dobre i Malësisë së Madhe ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar pa ndjenja në spitalin e Shkodrës, e më pas është përcjellë drejt Tiranës. Drejtuesi i mjetit tjetër, Avenir Piranaj, është dëmtuar lehtë dhe është shoqëruar në komisariatin e rrethit Malësi e Madhe, për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Nga të dhënat paraprake të hetimeve të kryera, mendohet se shkak i aksidentit ka qenë rrëshqitja e njërit prej mjeteve për shkak të lagështirës në rrugë.