Vlorë, ekzekutohet me pistoletë me silenciator 31-vjeçari

Foto arkiv
Një 31-vjeçar është ekzekutuar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Vlorës. Burime për Shekullin bëjnë të ditur se Fation Bani, 31 vjeç, është vrarë rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të shtunës, në afërsi të stadiumit Flamurtari.
Ngjarja
31-vjeçari ka qenë brenda në automjetin e tij tip Peugeot me targa italiane, kur është afruar një person me një pistoletë në dorë dhe ka shtënë tre herë në drejtim të tij. Pasi ka shtënë tre herë në drejtim të makinës së tij, ku të tre plumbat i kanë përshkuar trupin, 31-vjeçari Bani ka humbur ndjenjat nga plagët e marra në trup, dhe si pasojë, automjeti i tij ka ecur për inerci në drejtim të zjarrfikëses, ku është përplasur me një tjetër automjet të parkuar.
Punonjësit e zjarrfikëses, të cilët kanë dalë për të parë pasi kanë dëgjuar zhurmën e përplasjes e kanë shoqëruar menjëherë të plagosurin në spital. Por si pasojë e plagëve të marra në trup, i riu ka humbur jetën në sallën e operacionit.
Policia e cila ka shkuar në vendngjarje dhe ka bërë rrethimin e zonës si dhe ka marrë në pyetje ata persona të cilët kanë parë ngjarjen. Po ashtu, edhe punonjësit e zjarrfikëseve të cilët kanë shoqëruar të plagosurin në spital janë marrë në pyetje , por ata janë shprehur se nuk kanë dëgjuar të shtëna, çka të bën të mendosh se arma ka qenë me silenciator.
Ndërkohë, nga burime policiore mësohet se i dyshuari kryesor është 22-vjeçari me inicialet J.D. Policia po punon për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të vrasjes, e cila mendohet se ka ndodhur për motive të dobëta. / A.Peçi