Vlorë, fonde emergjente për pallatin e plasaritur
Vlorë- Rasti i Gjirokastrës, ka futur në panik jo vetëm qytetarë në mbarë vendin që shohin me verejtje banesën ku jetojnë, por edhe pushtetarët vendorë. E vlerësuar si një kronikë e paralajmëruar ajo e Gjirokastës, menjëherë ka mbërthyer në tone alarmi Vlorën, ku paaqitet një ndërtesë e ngjashme. Kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika në një letër publike i kërkon fonde emergjente Berishës.
Pallati që ka marrë plasaritje dhe që u denoncua sot në media duhet të boshatiset. Ky urdhër vjen nga kreu i bashkisë Vlorë, Kryetari i Bashkisë, Gjika. Po kështu sot i është nisur një kërkesë emergjente Kryeministrit, për fonde shtesë për Bashkinë e Vlorës. Në kërkesën e firmosur nga kreu i Bashkisë, Gjika thuhet se “siç edhe mund të jeni në dijeni, në qytetin e Vlorës është në kushtet e emergjencës ndërhyrja për të sistemuar banorët e pallatit 1149, pallat i cili ka pësuar dëmtime serioze si rezultat i ndërtimit pranë tij të një objekti tjetër shumëkatësh në vitin 2003”.
Ndërtimi i pallatit të ri sipas vendimit të KRT, së Bashkisë Vlorë ka shkaktuar problematika serioze ndaj pallatit 1149. Problemi është bërë prezent edhe në këshillin e bashkisë Vlorë me projekt vendimin e paraqitur nëmbledhjen e datës 8 dhjetor 2006, por që nuk gjeti zgjidhje.
“Aktualisht gjendja paraqitet e rënduar dhe kërkon ndërhyrje emergjente për të shmangur ndonjë katastrofë të mundshme për banorët e këtij pallati. Sa më sipër kërkojmë ndërhyrjen nga ana e institucionit që ju drejtoni për akordimin e fondeve të emergjencës, për të bërë të mundur zgjidhjen e problemit me shembjen e objektit ekzistues dhe ndërtimin e një objekti të ri nëfavor të banorëve që e popullojnë atë, gjë që do të përbënte zgjidhjen përfundimtare për ta”. Kështu shkruhet në letrën e kryebashkiakut të Vlorës, për Kryeministrin Berisha.