E Shtunë, 31 Tetor 2026

VIVA VIAGRA!

Ky është refreni që këndojnë qindra miliona çifte kudo në botë, të cilëve Viagra u kthen lumturinë e jetës seksuale.

Asnjë fjalë tjetër nuk është futur kaq shpejt dhe në mënyrë kaq imponuese në historinë e mjekësisë botërore, sa fjala "Viagra." U mbushën dhjetë vjet nga 27 Marsi i vitit 1998, kur F.D.A.(Food and Drug Administration) në Amerikë dha lejen që bari i prodhuar në laboratorët farmaceutikë të Pfizer, e që u quajt Viagra, të futet në tregun farmaceutik.

Viagra, në gjithë historinë e mjekësisë, është i pari mjekim efektiv që merret nga goja për të mjekuar impotencën seksuale mashkullore. Ai është ilaçi më i kërkuar dhe më i mirëpritur nga njerëzit, në të gjithë historinë e farmakologjisë.

Vetëm dy javë pas daljes së tij në treg, doktorët dërguan në farmacitë aq shumë receta, sa nuk ishte parë kurrë më parë me ndonjë bar tjetër. Shitjet e tij në vitin e parë të daljes në treg (1998) ishin 10 bilion dollarë. U mbushën atëherë dhe vazhdojnë akoma edhe sot të shkruajnë e të flasin gazetat, revistat, shoët televizive, lajmet në radio dhe TV.

Viagra ndryshoi botën para syve tanë dhe natyrisht jo pa arsye. Ilaçe të tilla kanë ardhur pak herë gjatë historisë së shkruar botërore. Kjo kokërr e vogël blu, që doli në treg pas shumë vite testimi në Amerikë dhe në Europë, meriton të quhet "Ilaçi Çudibërës"

Viagra e "kuron" impotencën mashkullore në mënyrë të përkohshme, pa dhimbje, brenda disa minutave dhe pa efekte anësore. Si mjek që merrem me mjekësinë seksuale them se Viagra është gjithçka që duhej të ishte dhe që ka potencialin të bëjë edhe më shumë. Në dyzet vjetët e fundit, nga të gjitha barnat që jepen me recetë, Viagra është më i konsumuari. Por, pa hezitim mund të thuhet, se Viagra është bari me të cilin është abuzuar më shumë në të gjithë historinë e barnave që jepen me recetë.

Këto që thamë janë vetëm maja e ajsbergut. Ndikimi i Viagrës shkon më tej këtyre efekteve të menjëhershme. Futja e saj në jetën e njerëzve është si një gur kilometrik kulturor që ndryshoi për sot dhe për gjeneratat që do të vinë, sjelljet sociale, bëmat seksuale dhe marrëdhëniet midis njerëzve. Me Viagrën shoqëria njerëzore gjeti rrugë të reja për të kapërcyer impotencën, që do të thotë për të përmirësuar rrënjësisht gjithë jetën seksuale të njerëzve. Dhe kjo u bë shumë shpejt, në mënyrë dramatike dhe përgjithmonë.

Gjashtë muaj përpara se bari të dilte në shitje, revista prestigjiozë "News Week "shkruante:

"Po qe se Viagra bën që 38 milionë baby boomer që ka kombi amerikan të ndjehen përsëri si "adoleshentë virilë", kjo është prekja e një revolucioni të ri seksual"

Dhe ky parashikim u vërtetua. Ky revolucion është më i thellë dhe më perspektiv nga ai që u nxit nga dalja e pilulave antikonceptive në fund të vitit 1960. Civilizimi priti pabesueshmërisht gjatë për të gjetur Viagrën dhe sot ajo tregtohet kudo në botë. Ajo tregtohet edhe tek ne.

Në kohën kur Viagra doli në dritë, sëmundja që në qarqet mjekësore quhej impotenca, pa zhurmë dhe qetësisht kish arritur proporcione epidemike. Mjekësia kish bërë shumë përparime në fusha të tjera, por asnjë bar kundër impotencës nuk kish efekte të kënaqshme.

Protezat e penisit, pompat vakuum, injeksionet në penis dhe supozitorët uretrale, metoda për kurimin e impotencës që janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren, edhe kur janë të suksesshme, ato i heqin seksit një komponent tepër të rëndësishëm spontanitetin. Ndërsa Viagra, ishte e vetmja që e ndryshoi këtë panoramë të errët brenda natës.

Sot për sot dhe për shumë vjet të tjera Viagra është dhe do të jetë "mbreti" midis gjithë mjekimeve për impotencën mashkullore. Ajo është si një "dhuratë në mjekësinë e sotme". Vetëm javën e parë të shitjes në ShBA morën Viagër 36.700 pacientë, në javën e dytë 115.000 pacientë dhe në javën e tretë 208.000 pacientë. Ndërsa sot e marrin 35 milion njerëz. Kjo është baras me trefishin e përdorimit të Prozac-ut, kur ky ishte një bar i ri për mjekimin e depresionit.

Viagra i hoqi mbulesën impotencës. Me daljen e saj impotenca u ripakëzua si "Disfunksioni Erektil" (DE), sepse mjekët mësuan më shumë për shkaqet dhe mjekimin e saj. Ashtu si Prozaku demistifikoi depresionin, Viagra demistifikoi dhe hapi mundësi të reja për mjekimin e disfunksionit erektil.

Sot, jo vetëm doktorët dinë më shumë, por edhe çdo burrë që vuan nga disfunksioni erektil di më shumë për penisin e tij dhe problemet që ai ka ose do të ketë më vonë. Kaloi koha kur mbi 95% e burrave impotentë nuk kërkonin mjekim. Me zbulimin e Viagrës ata e kanë më të lehtë të bisedojnë me doktorin për problemet e impotencës torturuese.

Viagra bëri që mjekët t'i shikojnë shumicën e rasteve me impotencë si sëmundje vaskulare. Shumica e rasteve me impotencë kaluan nga mbretëria e psikiatrisë dhe psikologjisë në botën e sëmundjeve fizike. Edhe në rastet kur Viagra nuk ka efekt, të sëmuret kanë tani më shumë mundësi të bisedojnë me doktorin për një alternativë tjetër mjekuese, për të shkuar tek një terapist, ose psikiatër që është padyshim, një alternativë tjetër shumë e mire për kapërcimin e impotencës.

Fatmirësisht, i lamë prapa ditët kur i njerëzit i hidhnit pas krahëve problemet seksuale. Nuk duhet çuditur që këtë pilulë blu, shumica e burrave dhe gratë e tyre, e shikojnë tani me syza rozë.

Pse disa pacientë nuk dëshirojnë të mjekohen për impotencën?

Për disa njerëz ideja që të përdorin pilule për të përmirësuar aktivitetin seksual është shqetësuese. U duket vetja sikur u plakën, humbën burrërinë, humbën kontrollin mbi trupin e tyre, sikur po u vjen fundi. Edhe pse barnat kundër impotencës janë efektive, disa pacientë janë kundërshtues ose i fillojnë dhe pastaj menjëherë i ndërpresin. Kjo ndodh sepse u duket sikur tani janë "normalë" dhe në kontroll të vetes. Por në se ata ndalojnë përdorimin e Viagrës dhe shoqeve të saj Cialis dhe Levitra nga që mendojnë se u shëruan, kjo nuk është e vërtetë ata e çojnë veten në një gjendje psikologjike të rrënuar ku humbet vetëbesimi, shtohet shqetësimi dhe vështirësohet rikthimi i aftësisë seksuale. Viagra, në rastet kur është e rekomanduar, ndihmon të kapërcehet me sukses të plotë disfunksioni erektil, por ajo nuk shëron shkaqet e saj. Po qe se një diabetik është impotent, si shumica e atyre me këtë sëmundje jo të rrallë dhe Viagra ndihmon kapërcimin e impotencës në këto raste, kjo nuk do të thotë se Viagra shëroi diabetin. Viagra zgjeron vazat e gjakut në penis dhe ndihmon të shtohet sasia e gjakut që vjen në organin seksual, në këtë mënyrë ajo përmirëson ereksionin. Me ndërprerjen e Viagrës impotenca do të kthehet përsëri.

Por jo të gjitha rastet e impotencës seksuale mashkullore kapërcehen me Viagra. Në disa raste gjendja shëndetësore e burrit nuk lejon që të përdoret Viagra. Ajo është një ilaç që jepet me recetë mjeku, pasi ai të ketë bërë një testim rigoroz të gjendjes shëndetësore të të sëmurit dhe përcakton dozën e barit.

Viagra ka edhe disa efekte anësore joserioze dhe që kalojnë pa pasoja disa minuta ose orë pas përdorimit. Disa nga këto efekte anësore janë: turbullimi i pamjes, dhimbja e kokës, zënia e hundëve e tj. Por, burrat nuk pyesin për këto fenomene anësore kur efekti kryesor i saj është i mirë dhe jeta seksuale e çiftit përmirësohet.

Kur flasim për Viagrën...

Kur flasim për Viagrën duhet të kemi parasysh dy kategori përdoruesish.

Të parët janë ata që kur e fillojnë Viagrën, shkojnë përsëri e përsëri tek mjeku për të rimarrë barin që përmirësoi jetën e tyre seksuale. Këta janë të kënaqurit nga përdorimi i Viagrës. Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë ata që e marrin Viagrën dhe nuk kënaqen me të. Askush nuk do të kënaqet me Viagrën në qoftë se e merr ilaçin me shpresën që të përmirësojë marrëdhëniet bashkëshortore të tronditura, ose të shkatërruara. Viagra që të ketë efekt kërkon eksitim seksual. Askush të mos presë të ketë ereksion të penisit pas marrjes së Viagrës, duke lexuar një libër, duke pirë raki ose duke parë futboll në televizor. Pas marrjes së Viagrës me stomakun bosh, pas gjysmë ore çifti duhet të shkojë të fillojë lojën seksuale në shtratin bashkëshortor. Mos merrni Viagër kur partnerja nuk është gati të bëjë seks.

Një problem tjetër është përdorimi i Viagrës nga të rinjtë. Ata ndjejnë se u mungon eksperienca dhe e vetëbesimi. Për të kapërcyer këto të dyja ata i drejtohen Viagrës. Ky nuk është një veprim i mençur. Ata marrin një ilaç që nuk u duhet dhe adiktohen me të. Ata adiktohen fizikisht dhe psikologjikisht, për pasojë ata nuk do të jenë të aftë të bëjnë seks gjatë gjithë jetës së tyre pa përdorur Viagrën. Ky është një dëm i madh që i bëjnë vetes, për të cilin një ditë do të pendohen.

Jetojmë në një kohë kur shkenca ka bërë të mundur kapërcimin e impotencës seksuale në shumicën e rasteve. Kjo është një sukses i madh shkencor që përmirëson jetën seksuale dhe jetën në përgjithësi, të atyre që e kishin humbur. Nuk duhet nguruar për asnjë arsye të kërkohet ndihmë për kapërcimin e vështirësive seksuale. Të gjithë duhet ta kuptojnë se të marrësh mjekim për disfunksionin erektil nuk është shenjë dobësie. Në të kundërtën, kjo do të thotë të luftosh me problemin dhe ta kapërcesh atë pa dhembje dhe në mënyrën më praktike të mundshme. Pa Viagrën funksioni mbetet i prishur, me Viagrën funksioni korrektohet.

PYETJE - PËRGJIGJE

MBI MASTURBACIONIN

Midis pyetjeve të lexuesve që presin për përgjigje, sot zgjodha t'u përgjigjem disa pyetjeve që lidhen me masturbacionin.

PYETJE Nr 1:

Dr. Harxhi,

Jam një 16-vjeçar nga Tirana dhe kërkoj një këshillë. Fillova të masturboj para dy vitesh. Tani nuk ndaloj dot. Ç'mund të bëj? Faleminderit!

PYETJE Nr 2:

Doktor,

Mendoj se jam seksualisht i çmendur ose diçka e tillë. Më duket se gjithmonë mendoj për vajzat, fantazoj dhe masturboj shumë, më së paku dy herë në ditë. A mendoni se jam normal?

PËRGJIGJE:

Pyetje të tilla më kanë bërë shumë të rinj adoleshentë. Kjo ndodh sepse duke kaluar nëpër vitet e pubertetit dhe adoleshencës, shumë nga ju provojnë ndjenja të forta romantike dhe seksuale. Ju harxhoni shumë kohë duke imagjinuar romanca pasiononte me atë që për ju është speciale. Ju jetoni fantazi të bukura seksuale. Janë pikërisht këto fantazi që u ngucin të masturboni shumë shpesh. Të tjerë interesohen më shumë për seksin tjetër dhe ndjejnë se i ka "zënë qymyri", ose fillojnë ndonjë romancë dashurie.

Këto ndjenja romantike dhe seksuale janë shumë të forta. Ka momente që u duket sikur çdo mendim i juaji, lidhet vetëm me romancën dhe seksin! Disa nga ju ndjejnë se janë kaq shumë të mbërthyer nga këto ndjenja, sa që ndjejnë diçka të frikshme. Mos u shqetësoni për intensitetin e madh që kanë këto marrëdhënie romantike ose seksuale. Këto marrëdhënie janë krejtësisht normale për moshën tuaj. Shumica e të rinjve shkojnë në këtë rrugë.

Ka disa të rinj që nuk i provojnë këto ndjenja të forta seksuale dhe romantike gjatë pubertetit. Ata përfshihen më shumë në aktivitete sportive e shkollore, merren me muzikën, me baletin, pikturën e të tjera aktivitete të tilla dhe shumë nga këta djem shpesh pyesin:

"Shokët e mi gjithmonë flasin për seks. Unë nuk jam i interesuar në punë romancash. A mendoni se ka diçka që nuk është normale me mua?".

Për këta djem kam këtë përgjigje: Ashtu si çdo njeri nga ju ka programimin individual të zhvillimit të trupit në pubertet, ashtu ka edhe programimin për romancën dhe interesat seksuale. Mos u shqetësoni pse shoku i moshës tuaj është i interesuar për seksin, ndërsa juve jo. Gjithçka është normale. Programimi i zhvillimit tuaj personal është i ndryshëm nga i të tjerëve. Por ju keni shumë kohë përpara për të provuar ndjenjat seksuale dhe romantike.

Masturbacion do të thotë "prekje me dëshirë për kënaqësi seksuale të organeve seksuale". Ka shumë terma që përdoren për këtë proces dhe ju mund të keni dëgjuar shumë të tilla, por mësohuni ta quani "masturbacion".

Shumë djem dhe burra masturbojnë, por jo të gjithë. Pra është sjellje normale kur masturboni edhe kur nuk masturboni. Disa djem fillojnë të masturbojnë që kur janë fëmijë dhe vazhdojnë gjatë gjithë jetës. Të tjerë nuk masturbojnë deri sa t'u fillojë puberteti dhe të fillojnë të prodhojnë spermatozoide. Të tjerë nuk e fillojnë masturbimin pa u moshuar edhe më shumë. Ka disa të tjerë që nuk masturbojnë kurrë.

Por shumica e meshkujve masturbojnë. Në një anketë, 95% e meshkujve dhe 89% e femrave raportuan se masturbonin. Njerëzit e të gjitha moshave, të të dy sekseve dhe të të gjitha drejtimeve në jetë, masturbojnë. Natyrisht, femrat nuk ejakulojnë spermë si meshkujt, por kanë orgazma. Disa gra lëshojnë lëng sapo arrijnë orgasmën. Ky nuk është ejakulacion si ai që kanë burrat.

Djemtë ndonjëherë mendojnë se sapo të fillojnë seksin do ta ndërpresin masturbimin. Kjo nuk është e vërtetë. Shumë burra të martuar dhe të tjerë me dashnore të qëndrueshme masturbojnë edhe pse bëjnë rregullisht marrëdhënie seksuale.

Njerëzit mendojnë se të gjitha gjërat e tmerrshme mund t'u ndodhin po qe se do të masturbojnë. Do t'u dalin leza në hundë dhe lesh në pëllëmbët e duarve. Do të ç'mënden dhe do të qorrohen. Do të pësojnë atak në zemër dhe do të mbushen me puçrra. Do të verbohen, do t'u zbutet truri, do të bëhen idiotë dhe do të çmenden e shumë të tjera. Sot ne dimë me siguri se asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Po të ishin këto të vërteta, bota do të ishte e mbushur me të verbër, me idiotë e me të çmendur.

Njerëzit nuk i besojnë më këto histori të vjetra, por ideja se masturbacioni është i dëmshëm akoma ekziston. Besoj se ju do të keni dëgjuar për këto gënjeshtra moderne lidhur me masturbacionin, unë do t'u them disa fakte.

Ju nuk do t'u mbarojnë spermatozoidet e as nuk do t'i përdorni të gjitha spermatozoidet tuaja duke masturbuar.

Mundet që përkohësisht të pakësohet numri i spermatozoideve nga ejakulacioni i përsëritur, por duhet të dini se trupi juaj prodhon vazhdimisht miliona spermatozoidë çdo ditë. Nuk ka asnjë mundësi që ata të mbarojnë.

Duke masturbuar shumë kur jeni të rinj, kjo nuk ka efekte të dëmshme për jetën seksuale kur të rriteni.

Disa djem shqetësohen nga që mendojnë se po të masturbojnë shumë kur janë të rinj, ata do të mësohen dhe do të duan të masturbojnë edhe kur të rriten dhe nuk do të kënaqen me interkursën seksuale. Të tjerë mendojnë se penisi i tyre do të jetë "shumë i mësuar" me masturbimin dhe nuk do të ejakulojë dot brenda vaginës. Ata shqetësohen se masturbimi e bën penisin të paaftë të punojë si duhet gjatë interkursës.

Teoritë janë pa fund dhe të gjitha janë gabim. Shumë ekspertë mendojnë se masturbimi është mënyra e sigurtë për të provuar si do të funksionojë jeta juaj seksuale kur të rriteni. Duke masturbuar, ju do të mësoni si përgjigjet trupi i juaj seksualisht dhe çfarë u jep juve më shumë kënaqësi. Kur do të filloni të bëni seks, ju do të dini çfarë u pëlqen më shumë dhe çfarë u eksiton më shumë. Kur ju i dini këto, do ta keni më lehtë t'i tregoni partnerit seksual çfarë u pëlqen dhe çfarë nuk u pëlqen dhe partneri do t'u ndihmojë të rritni kënaqësinë seksuale.

Disa burra i kanë orgazmat nga masturbacioni shumë më intensive nga interkursa. Kjo nuk do të thotë se ata e duan masturbacionin më shumë nga interkursën. Interkursa ka shumë elemente brenda saj si prekjen, përqafimin dhe intimitetin me një person tjetër. Këto e bëjnë interkursën një eksperiencë shumë më superiore nga masturbimi.

Burra të tjerë ndjejnë se orgazmat që provojnë gjatë interkursës janë më intensive nga ato që arrijnë me masturbim. Ka edhe burra që intensitetin e orgazmave e ndjejnë të barabartë si nga masturbacioni edhe nga interkursa.

Mbani mënd masturbacioni nuk është kurrë një veprim i dëmshëm.

Në qoftë se masturbon dhe ejakulon shumë, vetëm penisi do të ndjejë dhimbje nga fërkimi. Ky është dëmi që ka trupi prej masturbacionit.

Jo, ju nuk masturboni shumë. Nga e di unë këtë? Natyrisht, unë nuk e kam idenë sa shumë ju masturboni, por unë e di me siguri që trupi juaj i ka vendosur vetë limitet. Kur një djalë masturbon shumë, penisi i tij nuk erektohet për një farë kohe. Atij i duhet një pushim që ta marrë veten e të erektohet përsëri.

Më duhet ta specifikoj pak atë që sapo thashë. Kupto që ju po masturboni shumë vetëm kur gjithë ditën mëndja u ngelet tek masturbimi. Ju nuk shkoni askund. Ju jeni ndarë nga shokët. Ju nuk keni asnjë hobby ose interes tjetër veç masturbimit ...., në këtë rast ju po masturboni shumë.

Disa djem masturbojnë disa herë në ditë. Të tjerë masturbojnë një herë në ditë. Ka të tjerë që masturbojnë një ose dy herë në javë. Djem të tjerë masturbojnë më shumë ose më pak se kaq. Por ka edhe nga ata që nuk masturbojnë fare. Të gjithë janë normalë.

Ju uroj shëndet e fat.

Doktori

box

KONSIDERATA TË PËRGJITHSHME PËR MASTURBACIONIN.

Një shaka e vjetër thotë: 97% e burrave pranojnë se ata masturbojnë, 3% të tjerë gënjejnë.

Një studim ka gjetur se deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, 80% e djemve dhe 60% e vajzave masturbojnë.

Ka një diferencë interesante midis gjinive: Djemtë deri në 18 vjeç masturbojnë më rrallë kur kanë marrëdhënie seksuale me një shoqe, ndërsa vajzat adoleshente masturbojnë më shpesh kur kanë marrëdhënie seksuale me një shok. Pse?

Sepse një djalë i ri pothuaj në çdo marrëdhënie seksuale përfundon në orgasmë, ai nuk ka nevojë të shkojë në shtëpi dhe të masturbojë. Për një vajzë të re një akt seksual mund të jetë shumë i shpejtë dhe jo komplet për të, që të arrijë orgasmën. Ajo mbetet e tensionuar dhe e bllokuar pas lojës seksuale, ajo shkon në shtëpi dhe fillon vetë-stimulimin për çlirim fizik. Këtë nuk i a thotë mikut të saj.

Fjala "masturbacion" vjen nga Latinishtja "masturbari", që do të thotë "ngacmim me dorë"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›