E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët dhe Sëmundjet Diarreike

Sëmundjet diarreike të fëmijëve (heqja e barkut) janë një temë problematike si nga ana mjekësore, ashtu edhe nga ana sociale dhe ekonomike. Në praktikën e përditshme, ne si mjekë dhe ju si prindër, ndeshemi përditë, sidomos në stinën e verës, me heqjen bark të fëmijëve. Këto shfaqje të diarresë të fëmijëve ndahen në dy grupe të mëdha: Diarretë e thjeshta të fëmijëve pa shkaktarë infektivë. Diarretë ngjitëse ose sëmundjet infektive të zorrëve.

Sëmundjet e thjeshta diarreike të fëmijëve, në qendër të tyre kanë të vjellat dhe heqjet bark. Sipas OBSH, (Organizata Botërore e Shëndetësisë) në vendet me zhvillim, si ne, këto sëmundje zënë vendin kryesor në sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e fëmijëve deri në moshën 5-vjeç, kryesisht të atyre me moshë nga 1 deri në 2 vjeç. Fëmijët e këtyre vendeve paraqesin 4-5 e më shumë episode të tilla në vit. Sipas studimeve tona këto sëmundje zënë vendin e dytë pas sëmundjeve të aparatit të frymë marrjes. Shkaqet për shfaqjen e tyre: Infeksionet e aparatit të tretjes nga mikrobet apo viruset, duke përjashtuar këtu mikrobet e sëmundjeve ngjitëse të zorrëve. Infeksionet e organeve të tjera si të bajameve, veshëve, mushkërive, veshkave etj. Edhe një Ciban i vogël madje, mund të sjellë një sëmundje diarreike. Sipas një citimi të prof.S.Bekteshi, "Fëmija nuk është gjë tjetër veçse një organ tretës". Ky është një krahasim mjaft i gjetur, për të vlerësuar organizmin e vogël të foshnjes.

Konditat sociale, ekonomike e kulturore të familjes ku rritet një fëmijë. Konditat higjieno-sanitare familjare. Disa gjendje jo të mira të fëmijës, si rakiti, dobësia trupore apo kequshqyerja, imunodeficienca, gjendje ku fëmijës i mungojnë aftësitë për t'u vetëmbrojtur nga sëmundjet. Temperaturat e larta të mjedisit apo mbi nxehja e fëmijës nga veshja, mbulimi i tepërt apo rritja e temperaturës së dhomës (një mentalitet i gabuar dhe i përgjithshëm shqiptar "Kemi frikë se ftohet!!?). Për të gjitha këto, studimet e shumta edhe tek ne, ashtu sikurse edhe në botë, tregojnë se janë shkaqe favorizues që fëmijët të rrezikohen për t'u prekur nga këto sëmundje.

Shenjat e sëmundjeve diarreike. Janë disa por po veçoj vetëm ato që ju tërheqin dhe që duhet t'ju tërheqin më shumë vëmendjen, prindër të nderuar: Të vjellat: Fillimisht ato mund të jenë të rralla 1-2 herë në ditë, pa ndonjë dukuri të veçantë. Më vonë mund të shpeshtohen 4-5-6 e më shumë herë. Të bëhen të fuqishme. Ato dalin nga goja e fëmijës në formën e shatrivanit. Fillimisht përmbajtja e tyre është ushqimi i pa tretur e me erë thartire. Më vonë, të vjellat përmbajnë vetëm lëngjet e stomakut deri edhe me përmbajtjen e lëngut të tëmthit. Diarreja (heqja e barku): Fillimisht feçet janë të ujshme, me ngjyrë të verdhë apo jeshile, të rralla por mund të shpeshtohen deri 10-15 e më shumë herë. Feçet e ujshme mund të përmbajnë, fillimisht, edhe materiale ushqimore gjysëm të tretura apo të pa tretura fare. Më vonë mund të gjejmë në to edhe mukus (fijëza si qyrre) apo edhe fijëza gjaku. Temperatura: Është pothuajse gjithnjë prezente. E moderuar 37-38C por jo rrallë, edhe e lartë deri 40C. Dehidrimi, tharja e trupit: Kombinimit i të tre shenjave të mësipërme shpie në një gjendje alarmante që ne e quajmë DEHIDRIM, e cila nuk është gjë tjetër veç humbja e lëngjeve të organizmit dhe tharja e tij. Për ta bërë më të kuptueshme këtë dukuri mjafton të kujtojmë lulet e saksive në shtëpi. Në se do t'i lemë ato pa ujë do të vërejmë vyshkjen e tyre. Pamja e lules së vyshkur është e njëjtë me pamjen e fëmijës së dehidruar. A nuk është e dhimbshme një pamje e tillë?

Sëmundjet e thjeshta diarreike të fëmijëve janë të karakterit gjithë vjetor, por, ato ndeshen më shumë në stinën e nxehtë. Është kjo arsyeja që në zhargonin popullor ato janë quajtur barku i verës. Rastet shtohen shumë në stinën e nxehtë sepse: Rritet mundësia e shumëzimit të mikrobeve e viruseve. Rritet mundësia e infektimit dhe ndyrjes së ushqimit nen veprimtarinë e mizave. Rritet mundësia e mbinxehjes së fëmijës. Këto arsye janë evidente në çdo vend, aq më tepër tek ne, në gjendjen aspak të mirë të ndotjes, të banimit e të tregtimit.

Sëmundja kalon në tre etapa, në varësi të humbjes së lëngjeve. Tharje e lehtë: kur fëmija në përgjithësi nuk paraqet humbje të mëdha lëngjesh, nuk vërehet humbje në peshë dhe gjendja e përgjithshme është e mirë. Fëmija pi, ka humor të ruajtur dhe fle normalisht. Tharje e mesme: kur humbjet e lëngjeve fillojnë të bëhen të dukshme, lëkura në se shtypet me dy gishta nuk rikthehet menjëherë në gjendjen e saj normale, vihet re humbje në peshë deri në 10% të saj. Gjendja e përgjithshme vjen e keqësohet, fëmija nuk ka oreks, qan me të madhe, s'ka humor dhe fle jo mirë. Tharje e rëndë: kur humbja e lëngjeve është mjaft e madhe, lëkura humbet më tej elasticitetin e saj, thellohen sytë, humbja në peshë mund të arrijë në 20-30% të saj. Gjendja e përgjithshme është mjaft e rëndë, qan me zë të mekur ose mund të vihet re humbje e vetëdijes. Mundësia e kalimit nga një etapë në tjetrën dhe ashpërsia e tyre varen nga: Fuqia dhe lloj i shkaktarit, mjedisi ku rritet fëmija, aftësia e vetë fëmijës për tu mbrojtur dhe mbi të gjitha koha kur prindi vlerëson të vjellën apo diarrenë dhe ndërhyn me masat mbrojtëse e mjekuese.

Diarretë ngjitëse ose sëmundjet infektive të zorrëve. Në këtë grup bëjnë pjesë, Dizanteria, Salmonela, Tifoja e Zorrëve, Kolera etj. Këto sëmundje, që natyrisht janë më të vështira e më të rrezikshme për fëmijët por edhe për të rriturit, kanë tre elemente të përbashkët: Rrugën e marrjes së mikrobit që është ajo oralo-fekale, prandaj quhen edhe sëmundjet e duarve të pista, koston e lartë të mjekimit dhe koston e lartë shoqërore. Shenjat e këtyre sëmundjeve, janë pak a shumë të njëjta me ato të përmendu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›