Shuhet flaka olimpike në Pekin, mirupafshim në 2012
Mbyllen Lojërat Olimpike Pekin 2008. Stafeta i ka kaluar Londrës, e cila në 2012-ën do të organizojë olimpiadat e ardhshme. Ceremonia, e cila ka nisur në orën 14 (me orën shqiptare) është mbyllur me prezencën e të gjithë atletëve në qendër të stadiumit olimpik. Pas këtyre Olimpiadave, Kina shpreson të jetë më pranë perëndimit. Ose të paktën, kjo është ajo që shpreson vendi më i populluar në botë, fuqi e re emergjente në skenën botërore. “Gjiganti i fjetur” i Azisë është zgjuar duke pretenduar vendin e vet në botë. Dje Kina ka festuar fundin e lojërave me një ceremoni madhështore. Një lum fishekzjarrësh në formë rrethi janë pikturuar sipër stadiumit olimpik të Pekinit, sepse rrethi, sipas organizatorëve në traditën dhe kulturën kineze, është një simbol i harmonisë dhe i rinovimit. Në këtë rast tregon se Lojërat ia dolën mbanë me sukses. Fishekzjarrët kanë çelur edhe një herë aktin e fundit të Olimpiadës së Pekinit. 60 figura rrotulluese dhe të shndritshme, tambur fluturues, një triumf i vërtetë i ngjyrave ndërsa nuk kanë munguar edhe personazhet e tjerë: 7 mijë persona kanë dhuruar spektakël në finalen e madhe. “Lojërat kanë përfunduar me sukses. Në momentin kur do të bjerë sipari bashkohuni me mua për të shprehur falënderime të sinqerta ndaj Komitetit Olimpik, atletëve, shteteve pjesëmarrëse dhe të gjithë miqve që kanë kontribuar në arritjen me sukses të këtyre lojërave”, kështu ka thënë Liu Qi, president i komitetit organizator. “Bota i dha besim të plotë Kinës. Ishte një olimpiadë teknologjike dhe ekologjike, si dhe ishte gjithashtu, olimpiada e të gjithë njerëzve”. Në orën 15,24 flaka, e cila digjej prej 16 ditësh në “Folenë e Zogut” u shua. Lojërat përfunduan zyrtarisht.