E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i filmit në Durrës, nis nga “Koha e kometës”

 

Mbrëmjen e së shtunës ka nisur në Durrës edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit (International SummerFest Film). Në ceremoninë që u zhvillua në teatrin “Aleksandër Moisiu” presidenti i Festivalit, njëkohësisht kryetar i bashkisë së qytetit, Vangjush Dako ka deklaruar të hapur këtë Festival Ndërkombëtar, në të cilin do të konkurrojnë për çmimin “Gladiatori i Artë”, 16 filma nga vende të ndryshëm të botës, prodhime të dy viteve të fundit. Mbi tapetin e kuq, vendosur në shkallët kryesore të teatrit, janë ngjitur artistët pjesëmarrës të këtij edicioni shqiptarë dhe të huaj. Ndërkohë “Koha e kometës” me regji të Fatmir Koçit, ka qenë filmi i parë që ka çelur këtë festival. Një film i realizuar mirë nga regjisori, një bashkëpunim shqiptaro-gjerman, punuar mbi skenarin e veprës “Viti i Mbrapshtë” i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Ndërkohë aktorët që interpretojnë në këtë film janë Blerim Destani, i cili në këtë film është për t’u përgëzuar për lojën reale që sjell. Krahas tij kanë interpretuar edhe Masiela Lusha, shqiptarja që jeton në Amerikë, Thomas Heinz, Cun Lajci, etj. Destani që mishëron rolin e Shestanit tha se, ka punuar për këtë projekt që prej 3 vjet e gjysmë dhe ndihet i gëzuar për këtë bashkëpunim me regjisorin Koçi “Ne kemi shfaqur copëza filmi në festivalin e Berlinit dhe kemi marrë përshtypje mjaft të mira nga kritika e specializuar”, tha ai. Më pas artdashësit ndoqën filmin “Black horses” (Kuajt e zinj), një prodhim kinematografik serb, që synon të dëshmojë luftën për identitet të popullit fqinj në fillim të shekullit të kaluar. Filmi i drejtuar nga Ljubisha Samarxhiç dallohej për lojën e thjeshtë aktoreske. Edicioni i parë i “International Summer Fest Film” do të vazhdojë deri më 31 gusht dhe në të do të konkurrojnë 16 filma të përzgjedhur mes 51 filmave aplikantë nga 23 vende të botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›