Ibrahim Rugova si përkthyes
Këto kohë ndodhet në Shqipëri. Për promovimin e veprës më të re me poezi, të shkruar në vitin 1976-1983.
Eshtë një bashkim veprash, “Lojë e kundërmojë” si dhe “Oksigjeni”, të cilat poeti frankofon Skënder Sherifi, i ka botuar në 1980 në Prishtinë. Ndërkohë sot, në një ribotim të bërë nga shtëpia botuese “Faik Konica” me përkujdesjen e Nazmi Rahmanit, Sherifi na sjell të freskëta disa vargje që shtrojnë probleme të pranishme për këtë moment. I ka shkruar në frëngjisht, por përkthimi i tyre në shqip është bërë plot 30 vite më parë nga i ndjeri, Ibrahim Rrugova. Një bashkëpunim që ka zgjatur katër vjet mes tyre, por që dhe sot rezulton i suksesshëm.
Kur jeni takuar për herë të parë me Ibrahim Rugovën dhe si vendosi të përkthente poezinë tuaj?
Ibrahim Rugovën e kam takuar për herë të parë në 1976, jam prezantuar në Prishtinë me të. Kisha një look si atë të hipive amerikane. Shkova në Prishtinë vetëm të pasqyroja anën time shqiptare në të gjitha aspektet. Fillimisht rreth 90 për qind të kosovarëve më perceptuan, si një ufo të një tjetër planeti. Kishin kuriozitet ndaj një shqiptari të ardhur nga një botë totalisht tjetër, me tjetër bagazh, kulturë, përvojë... Aty Ibrahim Rrugova, më priti edhe më mbështeti intelektualisht. Ma lexoi veprën në frëngjisht dhe konkluzioni i tij për poezinë time, ishte se isha një fenomen i rrallë i poezisë dhe ngjasoja me Pjer Segersin, babain e poezisë franceze në Paris. Ky pasion ndaj personalitetit dhe veprës sime, plus dashuria që kishte ai vetë për kulturën franceze dhe për Parisin ku ka qenë vetë, e shtynin që të më përkthejë dy veprat nga frëngjishtja në shqip. Por padyshim me bashkëpunimin tim, pasi ai vetë e kishte frëngjishten pak e shumë të kufizuar. Më tha në atë kohë: mos u çudit, nëse nuk të kupton kush për momentin, sepse sot për sot, kjo shoqëri nuk i ka kodet, parametrat, të kuptojë veprën tënde, por po ta garantoj, që pas 50 vjetësh, do të bëhesh një emër i rrallë i poezisë te rinia e ardhshme.
Si punonte Rrugova?
Punonte me një tekst në ditë, të cilin unë ia zbërtheja fjalë për fjalë e varg për varg, prej frëngjishtes në shqip. Ia shpjegoja se për çfarë fliste një varg, cilat ishin simbolet, nënteksti, dhe kur e zbërthenim gjithë poezinë, ai më thoshte: tani po ta vesh në gjuhën shqipe. E më pas e lexonim së bashku dhe unë i jepja mendimet e rastit.
Sa kohë bashkëpunuat për këtë vepër?
Ne kemi bashkëpunuar katër vjet që nga 1976 deri në 1980 duke u takuar një herë në ditë a dy herë në ditë. Jetoja në Kosovë atë kohë, tek konvikti i femrave të Kosovës, ai me numër 2 si student i huaj. Në atë kohë kam përkthyer në shqip një antologji të poezisë shqiptare të ish-Jugosllavisë, dy-tre nga Maqedonia, dhe nga Mali i Zi në vitin ‘80 nga frëngjishtja në shqip me propozimin e Ibrahim Rugovës dhe të autorëve të tjerë. Pas botimit të kësaj antologjie u ktheva në Paris, ku kam jetuar jetën artistike parisiene, deri në 1990 me Pjer Segersin dhe shokët tij.
Pas bashkëpunimit me ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, jeni takuar më pas?
Vetëm një takim nostalgjie në 1990 ku i thamë njëri-tjetrin, “të dua shumë, nuk të harroj kurrë, lamtumirë”! Ai më pas mori drejtim politik, unë mbeta në botën e kulturës, artit dhe krijimtarisë.
Pse nuk janë botuar më pas në Kosovë veprat tuaja me poezi?
Sepse Kosova përjetoi problematika në një fushë politike dhe e lanë kulturën shumë larg.
Ribotimi i tanishëm si erdhi?
Ma propozoi Nazmi Rahmani. Më tha shiko: është nonsens, meqë ke qenë një poet i madh dhe premtim i madh i Rugovës dhe ai ka pas ëndrra të mëdha për poezinë tënde. Të rinjtë shqiptarë duhet t’i lexojnë. Ndaj i botoj të dyja veprat së bashku, meqë ishin të shkurtra si volume, nga 80 a 90 faqe.
Në Shqipëri vini shpesh, ju lidh poezia apo vendlindja juaj shqiptare?
Më vjen mirë, se më kanë botuar dhe futur në botën shqiptare, por unë e kam një parim shumë të thjeshtë. Vij nga një botë evropiane, frankofone, kozmopolite. Meqë kam një edukatë shqiptare në shtëpi, me familje, një emër shqiptar, një lindje në një tokë shqiptare, meqë kam kaluar katër vjet me kosovarë dhe i kam bërë 20 udhëtime në Tiranë prej 1990 deri tani, ma ka ndier shpirti një farë detyrimi, a borxhi moral, të lë diçka për këtë komb dhe sidomos për këtë rini. Më ka shtyrë një atdhetarizëm i lindur, natyral, gjenetik, me lënë një amanet të rinisë shqiptare. Dhe ka rëndësi për mua si akt human dhe njerëzor, tani ky amanet, do hyzmet nga ana e shtetit shqiptar dhe kosovar, duhet patjetër të përkthehet vepra në shqip, për lexuesit shqiptarë dhe të çohet kjo vepër në programet shkollore, të gjimnazit, të degëve të albanologjisë, gjuhës shqipe dhe gjuhës frënge. A ju duket normal që një shqiptar që ka gëzuar këto kritika dhe lëvdata për 30 vjet, plus hyrja në fjalorin e letërsisë botërore mes 28 autorëve më të mirë të gjitha kohërave, të mos figurojë në gjuhën shqipe dhe programet shkollore?
Duhet të presim ndonjë botim të ri?
Kam vepra të tjera me poezi, drama, mirëpo do t’i botoj duke i rishikuar me distancën kohore. Por tani momentalisht nuk po shkruaj gjë, por po këqyr shoqërinë shqiptare me një dashuri të madhe dhe me një ironi të madhe.
Kur shkruani?
Zakonisht shkruaj mbrëmjeve, kur flenë të gjithë ose nëpër natyra të qeta ku mund të përqendrohem, ose në kafe, si në kohën e kafeve të Parisit. Mirëpo këtu e kam një problem, si gjithë të tjerët, e kam zor të përqendrohem dhe të dëgjoj diçka me ndonjë sens të thellë, sepse jemi në shoqërinë e show-t dhe spektaklit permanent, ku çdo gjë tingëllon si një imitim, një majmunizim i modave të caktuara dhe ku njerëzit, veprojnë sikur të ishin në Nju Jork, Paris. Gjithë kjo na çon në një tetar absurd të Beketit, ku çdokush mendon se është super i rëndësishëm dhe bën diçka të madhe, por në realitet vetëm e harron vetveten dhe e mbyt kohën. a.m
Të dhënat
Titulli: Poezi
Autori: Skënder Sherifi
Gjinia: Poezi
Botuar: “Faik Konica”
Përkthyer: Ibrahim Rrugova
Faqe: 126
Çmimi: 3 euro