Pranga 5 hajdutëve, kryen 15 vjedhje
OPERACIONI/ Policia ka prangosur hajdutë që vidhnin televizorë, agjenci dhe banesa të ndryshme
DURRËS - Arrestohet një grup vjedhësish që cilët akuzohen për rreth 12 vjedhje të kryera në vende dhe periudha të ndryshme. Mbrëmjen e së hënës, në pranga ka rënë Mario Kapedani, 26 vjeç, si dhe 50-vjeçari Viktor Tutulani.
Ata akuzohen se në bashkëpunim edhe me persona të tjerë kanë kryer një sërë vjedhjesh në qytetin e Durrësit, të përqendruara në agjencitë, si dhe në vjedhjen e televizorëve, për të cilët kishin gjetur edhe treg shitjeje në kryeqytet.
Mësohet se gjatë një periudhe kohe 4-mujore, dy të prangosurit kanë vjedhur 17 televizorë plazmë në magazinën e një firme që ndodhej në autostradën Durrës - Tiranë, një televizor në zyrën e një firme, një tjetër televizor plazmë në një lokal, si dhe 3 të tjerë në një lokal në lagjen 6 të Durrësit.
Të gjithë këta televizorë janë shitur në Tiranë në një pikë riparimi-elektronike. Pas kësaj, ata kanë kryer një tjetër vjedhje të tre televizorëve në një tjetër bar-bufe.
Po kështu Kapedani dhe Tutulani akuzohen për vjedhjen në një repart prodhimi të dyerve e dritareve duralumini. Pas këtyre vjedhjeve, 26-vjeçari në bashkëpunim me të tjerë kanë realizuar vjedhjen e gjashtë agjencive në qytetin e Durrësit.
Pesë prej këtyre vjedhjeve janë përqendruar në lagjen 4 të Durrësit, ndërsa njëra në lagjen 11. Vjedhjet e agjencive janë bërë me anë të thyerjeve, ku janë marrë shuma të ndryshme parash.
Po të hënën, në pranga kanë përfunduar edhe tre adoleshentë, të dënuar edhe më parë për vjedhje.
Bëhet fjalë për Saleo S., 16 vjeç, banues në Korçë, 16-vjeçarin A.M., banues në Peqin, dhe !7-vjeçarin M.Xh. banues në Rrogozhinë. Të tre këta shtetas akuzohen se kanë kryer vjedhje të ndryshme në qytetin e Durrësit. Objekt ishin banesat, sidomos në kohën kur familjarët kanë qenë në gjumë.
Kështu në bashkëpunim me njëra-tjetrin ata akuzohen se kanë hyrë për të vjedhur në 3 banesa, ndërsa në të fundit janë diktuar nga familjarët që kanë njoftuar policinë. Pas arrestimit të tyre, të dëmtuarit kanë bërë njohjen e hajdutëve në komisariat, duke faktuar një tjetër akuzë për vjedhje ndaj 3 adoleshentëve.