Vidhnin pasqyrat e benzave, arrestohen dy kushërinj
TIARNË- Dy të rinj janë arrestuar nga Policia e kryeqytetit, të akuzuar për vjedhje të pasqyrave të automjeteve, ndërsa një javë më parë ky fenomen ishte bërë tepër shqetësues.
Bledion Shkëmbi, 25 vjeç, dhe Renato Shkëmbi, 20 vjeç, të dy kushërinj, banues në Tiranë janë arrestuar dy ditë më parë nga efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 3, të cilët dyshohet se janë autorë të katër vjedhjeve të realizuara në një ditë të vetme në disa rrugë të kryeqytet.
Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, pohuan dje se për dy të arrestuarit dyshohet se pesë ditë më parë në Laprakë, në disa rrugë të kësaj lagjeje kanë realizuar vjedhjen e pasqyrave të automjeteve të parkuara në rrugë.
Sipas burimeve të policisë mësohet se Renato Shkëmbi dhe Bledion Shkëmbi, më datë 16 tetor kanë realizuar vjedhjen e pasqyrave të një automjeti i markës "Mercedez- Benz" me targa X57AGV, pranë pallateve "Gintash". Po pranë kësaj zone, dy të rinjtë dyshohet se kanë vjedhur edhe pasqyrat e mjetit tip "Benz"me targa të Tiranës, dhe të automjeti tjetër po "Mercedez- Benz".
Mësohet se po gjatë kësaj dite dy të arrestuarit kanë realizuar edhe një vjedhje tjetër të pasqyrave, ku në rrugën "Don Bosko", pranë kompleksit të pallateve "Almak", dyshohet se kanë vjedhur pasqyrat e një automjeti tjetër.
Mësohet se gjatë arrestimit të dy personave për akuzën e vjedhjes, Policia e kryeqytetit ka sekuestruar dhe pasqyrat që dyshohet që janë vjedhur si dhe një mjet të markës "Volkswagen" "Golf" me targa TR C. Dy personat që kanë përfunduar në prangat e policisë akuzohen për veprën penale të vjedhjes e kryer në bashkëpunim.
Arrestohen për kundërshtim të policisë dëmtojnë komisariatin
TIRANË- Dy persona janë arrestuar pas kundërshtimit që iu kanë bërë dy punonjësve të policisë gjatë kohës që po shoqëroheshin në Komisariat. Elvis Muça, 25 vjeç dhe Endi Musollari 22 vjeç, të dy banorë të Tiranës, janë arrestuar nga shërbimit e Komisariatit nr. 1, pas kallëzimit penal që kanë bërë dy policë të këtij komisariati për dy të rinjtë.
Burimet nga policia pohuan dje se arrestimi i Muçës dhe Musollarit është kryer pas kundërshtimit dhe fyerjes së dy punonjësve të policisë në momentet e shoqërimit të tyre në komisariat, ngjarje kjo e ndodhur dy ditë më parë në Rrugën "Gani Domi". Edhe pasi janë dërguar në ambientet e Komisariatit të Policisë nr. 1 dy të lartpërmendurit kanë tentuar të shkatërrojnë dritaret e komisariatit.
Ka qenë pikërisht ky veprim që ka nxitur dy efektivat e policisë që të kryejnë kallëzim për dy të arrestuarit. Dy të arrestuarit akuzohen për disa vepre penale, si për "kundërshtim të punonjësit të policisë", "fyerja për shkak të detyrës" dhe "shkatërrim të pronës", vepra këto të kryera në bashkëpunim.