E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmben vajzën që s'e pranoi, prangoset

Shkodër/ Policia ka vënë në pranga 23-vjeçarin Aleks Lala dhe 24-vjeçarin Emiljano Bushi


Të rinjtë kanë marrë me forcë një studente 19-vjeçare, pranë universitetit "Luigj Gurakuqi"

SHKODËR - Kanë rrëmbyer e futur në mjet me forcë një 19-vjeçare, por janë ndaluar nga policia. Ngjarja ka ndodhur në mesditën e së martës në qytetin e Shkodrës, në afërsi të një prej fakulteteve të universitetit "Luigj Gurakuqi".


Burime të policisë bënë të ditur se në pranga kanë përfunduar Aleks Lala, 23 vjeç, nga fshati Mnelë i komunës Vig-Mnelë të Shkodrës, si dhe Emiljano Bushi, 24 vjeç, lindur në Mirditë.


Të dy të rinjtë janë banorë të Tiranës. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e "kanosjes" dhe "heqjes së paligjshme të lirisë", vepra të kryera në bashkëpunim.


Ngjarja


Gjithçka ka ndodhur ditën e martë. Një 19-vjeçare, studente e vitit të parë e universitetit "Luigj Gurakuqi" është marrë me forcë nga dy djem, të cilët e kanë hipur në një autoveturë tip "Audi A8", me targa TR 6010 S, e cila është larguar me shpejtësi.


Skena është parë nga shoqet e studentes, të cilat kanë lajmëruar sallën operative të policisë. Menjëherë pas saj, uniformat blu janë vënë në ndjekje të automjetit të identifikuar nga dëshmitarët okularë të rrëmbimit.


Në afërsi të teatrit "Migjeni", mjeti është ndaluar nga shërbimet e policisë të cilat kanë bërë shoqërimin e tij. Aleks Lala, 23 vjeç, dhe Emiljano Buçi, 24 vjeç, janë ndaluar me akuzën e "heqjes së paligjshme të lirisë" dhe "kanosjes", të kryer në bashkëpunim.


Shkaqet


Mësohet se 19-vjeçarja nga qyteti i Rrëshenit, e cila studion në Universitetin e Shkodrës, e marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore ka pohuar se 23-vjeçari Lala i është afruar për të pasur një lidhje me të, kërkesë që është refuzuar nga studentja.


Por duket se një refuzim i tillë ka qenë i papranueshëm për të riun, i cili i shoqëruar edhe nga shoku i tij 24-vjeçar i është drejtuar të martën qytetit të Shkodrës dhe e ka marrë vajzën me forcë dhe e ka futur në mjet duke e kanosur. Lala rezulton të jetë edhe pronari i automjetit me të cilin u krye rrëmbimi.


Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe ka bërë dokumentimin ligjor të ngjarjes, ndërsa materialet i kanë kaluar prokurorisë. Pritet që dy të rinjtë të përballen me togat e zeza të cilat do të marrin vendimin nëse ata do të qëndrojnë në qeli apo do të lihen të lirë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›