E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shteti shqiptar nuk po gjen Remzi Hoxhën"

Familjarët e shqiptaro- maqedonasit të zhdukur në vitin 1995, akuzuan se emërimi i të akuzuarit kryesor në funksion të lartë, është cinizëm ndaj tyre


Djali i biznesmenit të rrëmbyer nga SHIK, tha se nëse drejtësia nuk jepet ata do t'i drejtohen Gjykatës së të Drejtave të njeriut në Strasburg


TIRANË- Në përvejtorin e 14 të zhdukjes së biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha, të afërmit e tij, nuk kanë nguruar të hedhin sërish dyshime mbi shtetin shqiptar që sipas tyre nuk po bën asnjë hap për të gjetur eshtrat e njeriut të zhdukur për të cilin akuzohen disa prej ish- funksionarëve të SHIK-ut, në vitin 1995.


Para Gjykatës së Krimeve të Rënda, vetëm pak metra nga zyra e të pandehurit Arben Sefgjini, që drejton Shërbimin e Provës, mëngjesin e djeshëm protestuan familjarë të afërm e miq të të zhdukurit të 14 viteve më parë, Remzi Hoxha.


Rreth 40 familjarë të ardhur nga Shkupi dhe Prishtina, gjysmë ore përpara nisjes së seancës ndaj të ish- kreut të SHIK- ut të Tiranës, Arben Sefgjini, familjarët e të zhdukurit, të udhëhequr nga vëllai i madh i tij, Nexhmedini, qëndruan në heshtje me pankarta në duar pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda.


Në këtë gjykatë që nga maji i 2008-s po gjykohen katër ish-drejtuesit e SHIK-ut, të akuzuar si autorë të rrëmbimit të Hoxhës.


Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet "14 vjet në pritje të një varri"; "A ka drejtësi në Shqipëri"; "Ku është gjyshi im"; "Më ktheni burrin" etj. Më pas ata u drejtuan para Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar nga ministri Bujar Nishani të ndërmarrë iniciativën për gjetjen e eshtrave të njeriut të tyre.


"Ne si familje jemi shumë të zhgënjyer nga drejtësia, që kjo çështje është stërzgjatur. Ne presim nga kjo drejtësi që të paktën të gjejë trupin e babait tim",- pohoi para medieve djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Ardian Hoxha.


Sipas tij, familjarët dhe vetë ai ndihen të zhgënjyer, pasi shteti nuk po tregon vëmendje ndaj kësaj çështjeje dhe shton se nëse nuk e gjejnë zgjidhjen prej tij, do të detyrohen t'i drejtohen Gjykatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.


"E kemi përmbajtur veten që mos ta turpërojmë shtetin shqiptar para botës se jemi shqiptarë, por kemi të bëjmë me të dashurin tonë dhe nuk do të ndalemi. Të na dorëzohen eshtrat e babait-",nënvizoi i biri i të zhdukurit këtu e 14 vite më parë në mes të kryeqytetit nga agjentët e SHIK-ut të asaj kohe.


Ndërkohë, Ardian Hoxha në fjalën e tij para medias nuk ngurroi ta përmendë edhe emërimin e fundit të kryeministrit shqiptar Sali Berisha të të pandehurit Arben Sefgjini në krye të dikasterit të Shërbimit të Provës.


"Çështja është stërzgjatur dhe kryeministri Sali Berisha emëroi Arben Sefgjinin në një detyrë të rëndësishme, një ndër të pandehurit e procesit penal për zhdukjen e babait tim. Ky emërim ishte fyes për ne"-tha Ardian Hoxha.


Vëllai i të zhdukurit, Nexhmedin Hoxha, në fjalën e tij shprehu indinjatën dhe zhgënjimin nga qeveritë shqiptare, pasi edhe pse kanë kaluar 14 vite nuk kanë gjetur arsyen e rrëmbimit dhe gjetjen e eshtrave të Remzi Hoxhës.


"Neve na mungon Remziu dhe kjo ditë, na bën që të shprehim indinjatën dhe zhgënjimet tona në këtë periudhë 14-vjeçare që nuk duam të përsëriten në asnjë mënyrë edhe vitin tjetër.


Duam që të jepet drejtësia dhe të na gjejnë eshtrat e vëllait në të kundërtën do t'i përshkallëzojmë protestat me më shumë njerëz nga Kosova e Maqedonia"- theksoi Nexhmedin Hoxha. Edhe bashkëshortja e të zhdukurit bëri apel për gjetjen e eshtrave të njeriut të saj të dashur, duke kërkuar që të paktën ta ketë një varr ku do ta qajë.


Në procesin e djeshëm ishte parashikuar që të pyetej në banesë ish- punonjësi

Vdes dëshmitari i radhës, gjykata shtyn gjyqin


TIRANË- Në kohën që jashtë dyerve të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe më pas pranë Ministrisë së Drejtësisë protestonin familjarët e të zhdukurit Remzi Hoxha, togat e zeza që po zhvillojnë procesin gjyqësor ndaj tre të pandehurve të akuzuar si autorë të këtij rrëmbimi u detyruan të shtyjnë seancën gjyqësore pasi dëshmitari i radhës kishte ndërruar jetë.


Seanca djeshme ishte parashikuar nga togat e zeza që bashkë me avokatët dhe prokurorin e çështjes të shkonin në banesën e ish-punonjësit të firmës "Albatros" të drejtuar në atë kohë nga Remzi Hoxha, për ta pyetur në lidhje me personat të cilët kishin rrëmbyer shefin e tyre më 21 tetor 1995 në kryeqytet.


Por, prokurori i çështjes solli para togave të zeza certifikatën e vdekjes së tij, duke bërë që gjykata të shtyjë seancën gjyqësore për të martën e ardhshme në ora 9:00 për të vazhduar me leximin e dëshmisë së tij.


Sipas akuzës, Remzi Hoxha u rrëmbye mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në ambientet e firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Sipas prokurorisë, në aksion është përdorur një automjet me targa TR 2449 C, makinë e cila i takonte SHIK-ut.


Dëshmitë në prokurori kanë zbuluar se Avni Koldashi, në atë kohë shef në bazën nr.10 të vëzhgimit të SHIK-ut në kryeqytet e ka rrëmbyer dhe më pas dorëzuar Remzi Hoxhën tek një grup oficerësh operativë, ku ndër më kryesorët kanë qenë Ilir Kumbaro dhe Arben Sefgjini, kryetar dege dhe zv\drejtor në Drejtorinë e SHIK-ut të asaj kohe, në Tiranë.


Remzi Hoxha u dërgua më pas në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku iu nënshtrua disa seancave speciale të pyetjeve për lidhjet e tij të supozuara me shërbimet sekrete.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›