Vlorë, mbipopullohet spitali psikiatrik
Në një dhomë detyrohet që të kalojnë natën 32 të sëmurë meshkuj. Drejtoresha: Jemi në gjendje të vështirë
VLORË- Numri i madh i pacientëve mbi kapacitetin e lejuar por edhe mungesa e investimit të plotë janë ndër shqetësimet që ngrihen në spitalin psikiatrik të Vlorës, i cili është edhe i vetmi spital psikiatrik në jug të vendit. Drejtoresha e spitalit psikiatrik, Antonela Agaj pohon se ai është ndërtuar në vitet e para të shekullit të kaluar dhe tashmë godinat janë të vjetra, të amortizuara, gjendje e vështirë kjo sidomos për të sëmurët kronikë, apo siç quhen rëndom në ambientet e këtij spitali, të degraduarit. Shumë herë numri i tyre në dhoma është më i madh se ai normal. Janë 170 pacientë “rezidentë”, të cilët janë të sëmurë kronikë dhe duhet të rrinë për një periudhë të gjatë në spital. Në disa raste dhomat e gjumit janë shndërruar në kapanone të vërteta. Kjo vihet re kryesisht tek sektori i meshkujve ku në të njëjtën dhomë rrinë dhe flenë 32 të sëmurë me probleme psikike. Vetë spitali i Vlorës daton në vitin 1920. Prej kësaj kohe ai ka kryer rikonstruksione të pjesshme nga projekte, apo edhe punime të mirëmbajtjes, por gjatë kësaj periudhe nuk ka njohur rikonstruksion të plotë. Në spitalin psikiatrik të Vlorës sot ndodhen të shtruar 216 pacientë, të ndarë në kronikë dhe akutë. Anila Peçi