Ushtaraku mbushet nga vetëhelmimet
Dy persona kanë humbur jetën brenda pak ditësh në kryeqytet. Mjekët: Nuk kishim mundësi ti shpëtonim
TIRANË- Zhgënjimet nga dashuria i kanë marrë jetën dy të rinjve gjatë ditëve të fundit. Ata janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak pasi kishin konsumuar fostoksinë por nuk kanë mundur që të mbijetojnë.
Rasti i parë i përket një vajzë 22 vjeçare, e cila mësohet se prej katër vitesh ka qenë e lidhur me një bashkëmoshatarin e saj. Lidhja është mbajtur e fshehtë për familjarët dhe në momentin që prindërit e vajzës e kanë marrë vesh e kanë detyruar atë duke i bërë presion që të ndahej nga djali. Pas një jave që nuk arriti dot ti mbushte mendjen prindërve, vajza ka pirë dy kokrra fostoksinë duke mos i lënë asaj mundësi për të jetuar edhe pas ndihmës mjekësore. Një tjetër rast është shënuar vetëm katër ditë më parë kur në urgjencën e spitalit ushtarak ka mbërritur një djalë 20 vjeç, i cili kishte konsumuar një sasi të madhe fostoksine. Bluzat e bardha pohojnë se djali është paraqitur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe nuk ka pasur asnjë mundësi për ta mbajtur në jetë. Doktori Zihni Sula ka pohuar se gjendja e tij ishte shumë e rëndë. Ai shpjegon se në spitalin ushtarak paraqiten dhe rast nga më të ndryshmet, siç është ai i vajzave të reja të cilave u hidhet “eksitant” në pije. Mjekët e urgjencës pohojnë se raste të tilla paraqiten pothuajse çdo natë.