Investitorë nga Libia, interes për tregun shqiptar
Delegacioni qeveritar i Libisë, të kryesuar nga zv.ministri për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ekonomik, z. Abdulati I. Alobidi, ka zhvilluar dje një sërë takimesh me karakter ekonomik. Të nxitur nga ideja për të shtrirë investimet jashtë kufirit të tyre, biznesmenë nga Libia janë njohur me kushtet që ofron Shqipëria në sektorë të ndryshëm rreth mundësisë për të investuar. Gjatë takimit me delegacionin mik, Kryeministri Berisha, paraqiti disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe kryesisht në fushën ekonomike, duke krijuar një klimë biznesi të favorshme në vend. Qeveria shqiptare, tha Kryeministri, mbetet e vendosur të punojë seriozisht për të bërë të mundur një bashkëpunim të gjatë ekonomik ndërmjet dy vendeve. Shqipëria, tha Kryeministri, është një vend i përshtatshëm për investime dhe se biznesi libian është i mirëpritur për të investuar në Shqipëri në fushën e turizmit, në hidroenergjetikë, në fushën minerale, në arsim, kulturë, etj. Nga ana e tij, zoti Abdulati I. Alobidi u shpreh, se Libia do të nxisë investitorët e saj për të investuar në Shqipëri dhe inkurajon marrëveshjen për shmangien e taksës së dyfishtë. Ndërsa po dje, kryetari i dhomës së Tregtisë Tiranë, Gjokë Uldedaj, priti në një takim kryetarin e Unionit të Dhomave të Tregtisë së Libisë, El Hadi Elfahim. Ky i fundit bëri një prezantim të shkurtër të kompanive të këtij vendi, duke theksuar se "është hera e parë që vjen në Shqipëri dhe për këtë dua një informacion më të detajuar për mundësitë e investimeve të të dy palëve në të dy vendet tona". Në këtë linjë kryetari i Unionit të Dhomave të Libanit bëri të qartë se fushat më me interes që ata duan të investojnë në Shqipëri është ajo e naftës, duke e lidhur këtë me privatizimin e ARMO-s.