E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Qeveria të marrë masat ndaj rritjes së çmimeve

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka raportuar dje në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat lidhur me çështjet kryesore që shoqëruan vendin përgjatë vitit 2007. Duke bërë një ekspoze të situatës ekonomike në vend, kreu i BSH-së tha se rritja ekonomike vazhdon të mbetet në nivele 5-6 për qind, ndërsa inflacioni edhe pse i rritur në fund të vitit, mbeti brenda parametrave të lejuara, rreth 3 për qind. Gjatë analizës së ecurisë për sektorët kryesorë të vendit, Fullani u ndal te kriza e shtrenjtimit të artikujve kryesorë të konsumit, të lidhura ngushtë me problematikën që po përballet sektori i bujqësisë në vend. Sipas tij, ky sektor vazhdon të mbetet me probleme, i pazhvilluar në disa kultura bujqësore, të ndikuara kryesisht nga mungesa e financimit nga ana e qeverisë, por edhe nga bankat. "Qeveria duhet të marrë masat e nevojshme në modernizimin e sektorit të bujqësisë, duke rritur tokat e punuara, por mbi të gjitha të rregullojë titujt e pronësisë, regjistrimin e tokës në hipoteka. Të gjitha këto mund të garantojnë besueshmëri te bankat gjatë procesit të kredidhënies për fermerin shqiptar". Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, situata e krizës te shtrenjtimi i artikujve ushqimorë do të vazhdojë për ca kohë, kjo e ndikuar kryesisht nga faktorë të jashtëm.

Sektori

Guvernatori Fullani i ka sugjeruar qeverisë që të marrë masa për të zhvilluar sektorin e bujqësisë, si e vetmja mënyrë për të minimizuar efektet negative të kësaj situate. Bujqësia është sektori më i madh në vend i ekonomisë sonë dhe përbën 23 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas BSG, rritja vjetore rezulton tepër e ulët për vetëm 2 për qind, nga 6 për qind që ishte rritja e gjithë ekonomisë.

Çmimet

E ardhmja për çmimet produktive ushqimore në botë dhe në vend, mbetet shumë e pasigurt. Gjithashtu, zhvillimet në çmimet e produkteve ushqimore varen nga disa faktorë që janë të vështirë për t‘u parashikuar, duke përfshirë motin, përparimet teknologjike dhe politikat për lëndët energjetike. Gjatë muajit mars 2008, çmimet artikujve bazë të konsumit rezultuan të rritura me 4,6 për qind në krahasim me vitin 2007.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›