E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit nga Lazarati dehin mësuesit me kanabis

Për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, Shkodra, Vlora dhe Gjirokastra janë qarqet më problemore dhe brenda hartës së kultivimit të bimës narkotike kanabis sativa. Gjatë takimit të përvitshëm sensibilizues që zhvillohet nga strukturat e qeverisjes vendore në Prefekturën e Gjirokastrës në bashkëpunim me policinë, numri një i policisë shqiptare tha se "Policia do t‘i përmbahet ‘tolerancës zero‘, duke mos lejuar askënd që t‘i bëjë karshillëk shtetit dhe të mbështesë të ardhmen e mirëqenies së tij në kultivimin e bimës së helmit, sidomos në tri qarqet më problematike dhe veçanërisht në Komunën e Lazaratit të përfshirë brenda hartës së kultivimit të bimëve narkotike". Të pranishmit në takim pritën me habi deklarimin e drejtorit të shkollës së mesme "Asim Zeneli", sipas të cilit trupa pedagogjike e kësaj shkolle ka si indikacion për identifikimin e bimëve të kultivuara efektin që shkakton te mësuesit aroma e sjellë nga nxënësit që vijnë prej zonave të kultivimit. "Mësuesit në klasat tona e ndiejnë efektin e bimëve të kultivuara dhe ndryshimin e këtij efekti sipas fazave të zhvillimit të bimëve. Në fazat e para të rritjes ata ndiejnë përgjumje në mësim, në fazën e rritjes mesatare nxënësit dhe mësuesit ndiejnë dhimbje të forta koke, ndërsa në fazën e pjekjes kanë dhimbje të forta koke dhe të vjella", tha drejtori i gjimnazit "Asim Zeneli", ku mësojnë një numër i madh nxënësish nga Komuna e Lazaratit. Ndërkohë, kryetari i Komunës Lazarat, Dashnor Aliko, tha se fenomeni ka ardhur duke u ulur nga viti në vit, por, krahas kësaj, kërkohet vëmendje nga shteti për investime për vende të reja pune dhe investime për përmirësimin e jetës së këtij komuniteti. "Përgjegjësia ligjore është individuale, por unë u bëj thirrje të gjithë drejtuesve të institucioneve shtetërore që të mundësojnë për punësimin e atyre që kultivojnë drogë. Ne si komunë, nga ana jonë, do të përkujdesemi për ngritjen në Lazarat të një qendre kulturore të pajisur me internet, do të ngremë një skuadër futbolli në kategorinë e tretë dhe do të ndërmarrim iniciativa që i largojnë njerëzit nga droga", tha kryetari i Komunës Dashnor Aliko. Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Hysni Burgaj, tha se këtë vit policia do të përdorë helikopterë për të identifikuar sipërfaqet e kultivuara me bimë narkotike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›