E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, ngec projekti i BB-së dhe qeverisë për rrugët

Për rrugën "Gjergj Araniti" e cila lidh Rrugën Transballkanike me atë Vlorë-Skelë pritet të përfundojë shtrimi me çakëll, më pas nuk dihet asgjë

VLORË - Është një projekt prej 1.2 milionë euro, por pavarësisht vlerës dhe rëndësisë, janë të paqarta afatet se kur do të jetë funksional. Bëhet fjalë për rrugën "Gjergj Araniti", një nga akset e rëndësishme të qytetit të Vlorës, i cili lidh drejtpërdrejt Rrugën Transballkanike me atë kryesore Vlorë-Skelë.


Projekti LAMP parashikon bashkëfinancimin e Bankës Botërore, qeverisë shqiptare dhe vendorit të Vlorës përkatësisht në vlerat respektive prej 50%, 20% dhe 30%, ndërsa është përcaktuar në tri faza.


Aktualisht, përgjatë segmentit, kur për të kanë nisur punimet qysh në muajin shkurt, janë të vendosura katër shtylla të tensionit të lartë. Deri në 15 maj ato duhet të ishin hequr dhe segmenti duhet të ishte shtruar me çakëll.


Kjo fazë e parë e punimeve, e cila financohet nga Bashkia Vlorë parashikon kanalizimin e ujërave të bardha e të zeza, ndërsa pritet heqja e shtyllave të tensionit të lartë, lidhje e cila është sistemuar nën tokë.


Nënkryetari i bashkisë së Vlorës, Edi Leka, pohon se implementimi i projektit ka hasur vështirësi qysh me kanalizimet për shkak të kuotave të ulëta që ka qyteti, çka ka kërkuar riparjen e projektit, por edhe heqjen e shtyllave të tensionit të lartë.


KESH-i nuk ka ndërhyrë në kohë dhe vetëm tani pritet zhvendosja e tyre. Kjo do të shtyjë afatet e punimeve të fazës së parë edhe një muaj më tepër. Por ajo çka është shqetësuese për ecurinë e mëtejshme të punimeve, është financimi për dy fazat e tjera, për të cilin ngrihen supet.


Ndërsa është vënë në shfrytëzim shuma prej 40 milionë lekësh të reja nga ana e njësisë vendore, ende nuk ka mbërritur miratimi për fondet e tjera nga ana e qeverisë dhe Bankës Botërore. Situata e përfundimit të projektit është e paqartë, referuar këtu jo vetëm afateve, por edhe financimit.


Rruga në fjalë është ndër projektet që po zbatohen në infrastrukturë në qytetin e Vlorës. Aktualisht, nga investimet që po kryhen me fondet e bashkisë Vlorë, kanë përfunduar punimet e rrugës pranë ish-shtëpisë së oficerëve dhe bllokut të banimit në këtë zonë.


Po të përfunduara janë edhe punimet në dy blloqet e banimit në lagjen Çole. Projekte të tjera që po zbatohen janë në segmentet muze-spital, segmenti i unazës në Ujë të Ftohtë, ku përfshihen rruga te tuneli dhe te ish-kampi i punëtorëve, rruga e Karabashit, blloku i banimit në lagjen "1 Maji", rruga që lidh ish-Atelienë me Transballkaniken.


Po këto ditë nis puna edhe në tri segmente të tjerë: Pusi i Mezinit te Policia, segmenti nga gjyqi i vjetër tek xhamia dhe nga rrethi në Skelë tek ish-parku i Tregtisë, të tria këto riveshje.


Paralelisht me këto pritet edhe ndërhyrja në unazën e qytetit, si dhe rrugën "Pelivan Leskaj", punime të cilat do të kryhen nga firma holandeze që po aplikon projektin e ujësjellësit në Vlorë.


Sipas një marrëveshjeje ndërmjet kësaj firme me vendorin, ky i fundit do të kryejë riveshjet aty ku ka është ndërhyrë për projektin e ujësjellësit, kundrejt projektit në fjalë që ka marrë përsipër firma e huaj të financojë.
Rrugët gjithsesi vijojnë të jenë një problem në Vlorë.


Deri më tani nga ana e kryebashkiakut është pretenduar se deri më 30 qershor një pjesë e madhe e rrugëve të qytetit bregdetar do të jenë mbyllur, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë një hua prej 420 milionë eurosh që do të shërbejë për hyrjen e Vlorës si dhe për unazën e saj u miratua nga këshilli bashkiak. Një veprim i tillë mësohet të jetë kryer pas pamundësisë për të marrë nga qeveria fonde për investime që i kalojnë mundësitë e bashkisë së qytetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›