E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, nis puna për vënien në funksion të TEC të ri

VLORË- TEC-i i ri, që është ndërtuar në bregdetin perëndimor të Vlorës, 7 km larg qytetit, do të jetë i gatshëm për t’u futur në procesin e prodhimit brenda muajit dhjetor.

Drejtori i kërtij objekti, Maliq Haxhiaj sqaron se procedurat për për vënien e tij në funksion kanë nisur që prej fillimit të muajit dhjetor për shkak edhe të nevojës emergjente për prodhimin e energjisë në vend, por edhe në rajon.

Haxhiaj sqaron se aktualisht janë në përfundim procedurat e sigurimit dhe marrjes në dorëzim nga kontraktori të lëndës së parë gazoil nga importi, i cilësisë së lartë dhe në parametrat që parashikon teknologjia e TEC-it.

Është fjala për rreth 7000 metër kub gazoil, çka është e mjaftueshme për një funksionim normal për një periudhë 15 ditore. Ndërkohë, mësohet se është në proces tenderimi edhe një sasi tjetër gazoili, që do të garantojë vazhdimësinë e funksionimit të TEC-it edhe për periudhën në vazhdim, atë të muajit janar.

Vënia në funksion e TEC-it do të realizohet me kapacitetin e mundshëm teknologjik të tij, duke e shndërruar atë në një burim alternativ të konsiderueshëm për të kompensuar nevojat me energji të vendit.

Punimet për ndërtimin e TEC-it, nisën në shtator të vitit 2007. Projekti i tij, me një vlerë prej rreth 92 milionë euro, është financuar nga Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim(BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (BEI), si dhe KESH. Specialistët vlerësojnë se energjia elektrike e prodhuar prej këtij objekti në periudhën gusht, shtator, tetor, rezulton me mjaft leverdi.
(el.me/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›