E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, pije të skaduara për 1 Qershorin

Festa e 1 Qershorit mund të ishte shndë-rruar në helmim masiv për 200 fëmijë vlonjatë. 

VLORE / QEMAL BIRAKU

Por, rastësia i ka shpëtuar ata nga një ngjarje me pasoja të paparashikueshme. Një kontroll i Drejtorisë së Shëndetit Publik në një prej lokaleve të bregdetit në Orikum ku ishin duke festuar festën e 1 Qershorit, ka konstatuar se pijet freskuese e lëngjet e frutave që u ishin servirur fëmijëve  kishin skaduar.
Dhe jo me pak ditë nga afati, por plot 1 vit. Menjëherë fëmijëve u është ndaluar konsumimi i tyre, ndërsa janë kontrolluar se cili prej tyre kishte pirë në ndonjë prej shisheve apo kanaçeve të ofruara falas nga kompleksi turistik. Nga burimet mësohet se asnjë prej tyre nuk ka shfaqur probleme. Më pas nga ana e inspektorëve të DSHP-së janë bllokuar të gjitha pijet e skaduara dhe janë marra masa për pronarin e lokalit. Ngjarja që mund të kishte përfunduar në tragjedi ka ndodhur në kompleksin turistik "Freskia", në bregdetin e zonës së Orikumit në Vlorë. Me rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve në ambientet e këtij kompleksi ishin mbledhur për të festuar nxënësit më të mirë të shkollave publike të Vlorës dhe të Orikumit. Nga ana e lokalit, fëmijët e pranishëm në aktivitet kanë marrë falas një pije freskuese ose lëng frutash. Në këto momente, në lokal janë shfaqur edhe disa inspektorë të Drejtorisë së Shëndetit Publik, të cilët ishin duke zhvilluar një inspektim në lokalet e zonës. Pas verifikimit të tyre ka rezultuar se pijet freskuese që nxënësit kishin përpara tyre ishin të skaduara. Disa prej tyre e kishin të gdhendur në pjesën e ambalazhit faktin se data e lejuar për konsum ishte para gushtit 2007, ndërsa në disa të tjera ishte grisur shënimi i datës. Mësohet se pijet freskuese që janë bllokuar nga inspektorët kanë qenë kanaçe me çaj limoni, si dhe lëngje frutash me shishe, prodhime italiane dhe shqiptare. Në një deklaratë për shtyp të mbajtur dje, drejtoresha e DSHP-së së Vlorës, Brunilda Ndreu, bëri të ditur se kompleksi turistik do të penalizohet me gjobë që arrin vlerën e 500 mijë lekëve të reja, si edhe do t'i hiqet përfundimisht leja higjieno-sanitare. Sipas saj, organeve të tjera kompetente do t'u propozohet heqja e licencës për ushtrim aktiviteti të pronarit të kompleksit turistik, për të përcaktuar fatin e vazhdimit të veprimtarisë. "Kjo ngjarje ka shtuar vëmendjen e inspektorëve të higjienës në të gjithë zonën, të cilët tashmë kanë nisur inspektimet për verifikimin e kushteve higjieno-sanitare në plazhe private, bare, restorante e hotele. Gjithashtu kontaktet e vendosura me Drejtorinë e Bujqësisë e Ushqimit kanë bërë që puna të koordinohet dhe kontrollet të jenë në shumë sektorë, me qëllim që bizneset të operojnë në kushte higjieno-sanitare të lejueshme për sezonin veror, për të evituar incidente për shkak të shkeljeve dhe mospasjes së kushteve korrekte", ka pohuar Ndreu. E ndërsa inspektorët kanë ndaluar fëmijët të konsumojnë pijet e skaduara, disa prej të vegjëlve i kishin konsumuar ato që më parë. Nga të pranishmit në lokal mësohet se ata nuk paraqitën probleme shëndetësore. Sipas mjekëve, fëmijët që kanë konsumuar pijet e skaduara kanë shpëtuar pa helmuar ndoshta nga imuniteti që kanë krijuar me ushqime të kësaj kategorie. Pronari i lokalit është shprehur se, nuk ka vënë re se pijet freskuese u kishte kaluar afati i skadencës prej më shumë se një viti. Ai ka treguar se këto pije i kishte blerë në një pikë shumice, por nuk ka bërë të ditur emrin apo vendndodhjen e saj. Kontrolli i djeshëm në kompleksin turistik ka qenë në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga Drejtoria e Shëndetit Publik të Vlorës në zonën e bregdetit, e cila ka filluar nga zona bregdetare pranë qytetit të Vlorës për të vazhduar më pas në Radhimë dhe Orikum.

Stina e verës, aksioni për ushqimet
Me fillimin e stinës së nxehtë, Drejtoritë e Shëndetit Publik në të gjitha rrethet e Shqipërisë në bashkëpunim me drejtoritë e bujqësisë dhe ushqimit kanë ndërmarrë një sërë aksionesh për kontrollin e ushqimeve dhe të pijeve. Këto kontrolle kanë si qëllim mbrojtjen e konsumatorit nga ushqimet e prodhuara në kushte që nuk përmbushin standardet higjienike apo të cilave u ka kaluar data e skadencës. Vetëm në javën e fundit të muajit maj nga këto kontrolle janë bllokuar 25 kv ushqime në qytetin e Elbasanit, 14 kv në qytetin e Beratit, 11 në Urë Vajgurore dhe 5 kv në qytetin e Çorovodës. Pas bllokimit këto ushqime janë asgjësuar duke u groposur.

1 vit
më parë kishin skaduar pijet freskuese dhe lëngjet e frutave, që u janë servirur për konsum nxënësve që po festonin të dielën në Orikum 200 nxenesit
më të mirë të shkollave publike të Vlorës kanë qenë përballë rrezikut të helmimit nga konsumimi i pijeve freskuese me afat të përfunduar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›