E Diel, 1 Nëntor 2026

"Fëmija-vrasës, nuk do kthehet në asnjë shkollë"

Kreu i drejtorisë arsimore deklaroi se Romario Hodaj nuk do rikthehet në shkollë të qarkut të Beratit pas lirimit
BERAT- Pak ditë pas vendimin të gjykatës që lë të lirë 13-vjeçarin nga Berati që ka vrarë një grua si dhe ka kryer një sërë krimesh të tjera, Drejtoria rajonale Arsimore, ka deklaruar se ai nuk do të kthehet në asnjë mënyrë në shkollë. Drejtori i Drejtorisë Arsimore të Beratit, Yzedin Hima, është shprehur dje shumë i shqetësuar për vendimin e marrë nga Gjykata e Apelit Vlorë, e cila për shkak të mungesës së një shkolle riedukimi do të lërë të lirë 13-vjeçarin vrasës, Romario Hodaj. Hima ka pohuar se ai nuk do të mund të kthehet më në asnjë nga shkollat e rrethit të Beratit. Duke komentuar vendimin e lënies së lirë të një personi me rrezikshmëri kaq të lartë shtetërore, Hima, ka thënë se rasti në fjalë është tepër i rëndë për të cilin institucionet përkatëse, siç janë Ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë duhet të marrin masa. Sipas tij, ato duhet të bashkëpunojnë për të mos lejuar lirimin e 13-vjeçarit i cili mund të vazhdojë sërish veprimtarinë e tij kriminale. "Një nxënës që kryen veprime që bien ndesh me rregulloren e çdo shkolle, në bazë të dispozitave të ligjit në fuqi, ndëshkohet sipas shkallëve të disiplinës, deri në përjashtimin e tij nga shkolla. Veprimi i kryer nga Romario Hodaj është shumë i rëndë dhe i kalon të gjitha shkallët e sipërpërmendura, dhe si rezultat i krimeve të kryera prej tij, Hodaj është automatikisht i përjashtuar nga çdo shkollë 9-vjeçare e këtij rrethi. Djali 13-vjeçar që ka kryer vrasje nuk do të kthehet më në ambientet e asnjë shkolle 9- vjeçare të qytetit rrethit dhe qarkut të Beratit. Ne përjashtojmë nxënës nga shkolla kur ata thyejnë disiplinën, tejkalojnë numrin e mungesave, si dhe ofendojnë mësuesit, e jo më ata që kanë kryer vrasje. Ai fëmijë nuk ka vend në shkollë",- deklaroi Yzedin Hima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›