Vlorë, rrjeta e "Melisës" zë peshkaqenin 350 kg
VLORE- Një peshkaqen 350 kilogramë i llojit "Pëllumb" dhe një peshk i rrallë (lopë deti) me një peshë 70 kilogramë, kanë shënuar dje një ditë të mbarë pune për personelin e peshkarexhës ""Melisa", në portin e Vlorës. Ndërkohë që gjahu i rrallë dhe i lakmueshëm, ka bërë që klientë të zgjedhur e tregtarë të rendin e të zënë radhë për të blerë nga ky mish i shijshëm. Petrit Lamani, një prej peshkatarëve, tregon për "Gazeta Shqiptare" gjahun rrallë të ditës së djeshme. "Si zakonisht, në punën tonë të përditshme për bukën e gojës, edhe sot (të mërkurën) kishin hedhur rrjetat për peshkim në veri të ishullit të Sazanit. Rreth orës 13.00 konstatuam një tronditje të peshkarexhës, por menduam se rrjetat do të kishin kapur ndonjë masiv hekuri e betoni. Por, më pas u befasuam dhe u gëzuam njëkohësisht", - shton Lamani. Më tej ai tregon se u desh gati 30 minuta ankthi, që rrjetat të nxirrnin në sipërfaqe prenë e veçantë, që në përpjekje të ikur kishte dëmtuar jo pak dhe rrjetat që e kishin mbështjellë. Pas ankorimit në breg, kureshtarë të shumtë ishin mbledhur për të parë peshkaqenin 'Pëllumb', pak më shumë se 3 metra të gjatë dhe me peshë 365 kilogramë. "Ndonëse ka emër pëllumbi, ky peshkaqen, që ka një mish të cilësisë ekstra, është i rrezikshëm", - shtojnë peshkatarët. Njëkohësisht, nga rrjetat doli dhe një peshk i rrallë, i quajtur “lopë deti”, me peshë 70 kilogramë. Në pak kohë, mishi i peshkaqenit dhe “lopës së detit” u blenë nga klientët, kryesisht pronarë të lokaleve të njohura të Vlorës. Për vitin 2009, ky është peshkaqeni i parë që bie në rrjetat e peshkatarëve vlonjatë. Ndërsa, në vitin 2008 janë zënë 3 peshkaqenë, ku më i madhi prej tyre pati një peshë 500 kg.
(s.g/en.me/BalkanWeb)