E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Shqipëria pas pak ditësh, anëtare me të drejta të plota në NATO

Pas pak ditësh Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO, ndaj qytetet me tradita dhe të prirur për të thithur turistë, duhet të përfitojnë. Me këto fjalë Presidenti i Republikës, Bamir Topi u është drejtuar qytetarëve të Përmetit, gjatë vizitës së tij të punës të zhvilluar ditën e djeshme. Në takimin me ta, kreu i shtetit u ndal tek proceset integruese që po kalon vendi duke theksuar se përmirësimi i infrastrukturës së vendit është një nga parakushtet për tu bërë pjesë e familjes evropiane. "Është një tendencë që shikohet çdo ditë rrugët të përmirësohen, që komunikimi të përmirësohet, teknologjia e komunikimit sa vjen e përmirësohet, unë besoj që Përmeti nuk do të konsiderohet larg nga qytetet kryesore, nga Tirana, kryeqyteti, por do të jetë një vend që çdo ditë e më shumë do të zhvillohet. Unë besoj që gjëja më interesante që mund të marrin përfaqësuesit e pushtetit vendor, të bashkisë, por edhe të komunave është pikërisht eksperienca e qyteteve të cilat kanë fizionomi të njëjta. Dhe kjo duhet të shkojë patjetër në linjën e binjakëzimit, të marrjes së eksperiencës, sepse të gjithë kanë lëvizur sot" u shpreh Topi. Presidenti i Republikës, gjatë vizitës së tij të punës në qytetin jugor, është takuar me përfaqësues të pushtetit lokal, biznesmenë vendas dhe banorë të këtij qyteti. Në vizitën e tij ai u shoqërua nga prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera dhe kryetari i bashkisë së Përmetit  Edmond Komino. Gjatë takimit te presidentit me Kryetarin e Bashkisë, Edmond Komnino, me kryetarë të komunave përreth, intelektualë dhe biznesmenë të zgjedhurit vendorë dhe banorët u ndanë ide mbi projekte të ndryshme, të cilat do të ndihmonin zhvillimin ekonomik vendor. Përfaqësuesit e pushteti vendor në Përmet i parashtruan presidentit dy nga problemet që shqetësojnë komunitetin e këtij qyteti siç është vënia në dispozicion të bashkisë e një sipërfaqe të madhe toke që aktualisht është pronë e repartit ushtarak, për ti shërbyer komunitetin duke  e vënë në dispozicion të banorëve për ndërtime të reja Gjithashtu nga përfaqësuesit e pushtetit kërkuan rikthimin në Përmet të zyrave të gjyqësorit, zyra këto që janë transferuar në Gjirokastër. Presidenti Topi mori përsipër zgjidhjen në një kohë sa më të shkurtër të këtyre çështjeve duke premtuar se për gjyqësorin do të zhvillonte një mbledhje të afërt me KLD dhe do të diskutonte për rikthimin e gjykatës nga Gjirokastra në Përmet. Në fjalën e tij presidenti kërkoi nga pushteti vendor që të justifikojnë besimin e popullit duke u përqendruar në sa më shumë investime në infrastrukturë dhe në zhvillimin e turizmit. Presidenti gjatë qëndrimit të tij në Përmet, ka vizituar një nga kantinat e verës së qytetit të Përmetit.

Email This Klikime: 18

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›