Vlorë, vret 50-vjeçaren në sytë e të birit
Stoli Sheraj, pronare e një lokali, është ekzekutuar me kallashnikov, ndërsa nga policia s'bëhen të ditura shkaqet
Xhezo Habilaj është larguar nga vendngjarja me një automjet, pasi ka kërcënuar me armë drejtuesin e tij
VLORË - Është qëlluar për vdekje me automatik Stoli Sheraj teksa ishte së bashku me të birin në lokalin që administronin, ndërsa autori i vrasjes është larguar pa dhënë asnjë shpjegim.
Gjithçka ka ndodhur në orët e drekës në lagjen "28 Nëntori", pranë drejtorisë arsimore dhe gjendjes civile. Viktima ka qenë e ulur në një nga tavolinat e barit, kur autori, pa thënë asgjë, e ka qëlluar atë duke shkrehur disa herë armën kallashnikov, skenë kjo që është kryer në sy të djalit të viktimës.
Autori, pasi ka lënë të vdekur në vend gruan, është larguar qetësisht me armën kallashnikov në dorë, duke bërë disa metra kështu e më tej ka marrë një drejtues automjeti peng, që e ka shoqëruar nën kërcënimin e armës deri në Fier. Xhezo Habilaj është vënë në pranga mbrëmjen e djeshme në Kalivaç të Tepelenës, në një lokal.
Teksa ende nuk ka një version zyrtar lidhur me ngjarjen, nga ana e policisë janë hedhur poshtë dyshimet për një lidhje mes autorit dhe viktimës, por gjithashtu nuk pranohet se vrasja mund të ketë lidhje me dy mbesat e Habilajt që kishin punuar në lokalin e Sherajt.
Xhezo Habilaj është nga fshati Velçë i Vlorës dhe me gruan ka qenë në rrethana njohjeje, pasi, sipas policisë, i kanë pasur shtëpitë ngjitur. 45-vjeçari e ka kryer vrasjen në momentin kur në lokal nuk ka pasur klientë dhe Sheraj ka qenë së bashku me djalin e saj 18-vjeçar.
Duket se gjithçka është kryer e menduar mirë, madje burri ka pritur dhe rastin e volitshëm, për të mos pasur persona të tjerë të pranishëm.
Policia e mbërritur në vendngjarje ka kryer procedurat e nevojshme për dokumentimin e çështjes.
Specialistët kanë marrë dëshmi edhe nga persona që kanë parë ngjarjen, ndërkohë që pas nxjerrjes së trupit të pajetë të gruas nga lokali, ata kanë shoqëruar edhe djalin e viktimës, i cili ka parë gjithçka nga afër.
Mësohet se djali në momentin që ka dalë nga lokali ka qenë me një dorë të fashuar, që dyshohet se e ka dëmtuar pas vrasjes të së ëmës. Falë rrethanave të njohjes mes autorit dhe viktimës, policia e ka bërë shumë shpejt identifikimin.
Për kapjen e autorit janë mobilizuar edhe forca speciale të ndërhyrjes së shpejtë. Fotografitë e tij janë shpërndarë në pika të ndryshme te blutë e policisë, ndërkohë që ai është vënë në pranga në mbrëmje në një lokal të fshatit Kalivaç të Tepelenës.
Zona ku ndodhi ngjarja është fare pranë rrugës kryesore. Ajo është e rrahur nga lëvizjet e njerëzve, pasi në zonë ka disa biznese të vogla e blloqe pallatesh, ndërsa orari ka përkuar me mbylljen e mësimit për shkollarët. Një nga dëshmitarët ka pohuar për gazetën "Shekulli" se e ka parë autorin.
Ai ka pasur në dorë një çantë sporti të zezë dhe ka qëndruar në një nga tavolinat para lokalit, duke u ulur aty dhe pritur. Hyrja e tij në lokal ka zgjatur vetëm disa çaste. Krismat janë dëgjuar menjëherë dhe autori ka dalë fill pas kësaj me armën kallashnikov.
Ai ka ecur qetësisht në trotuar dhe më pas ka shpejtuar për t'iu larguar zonës. Sipas dëshmitarit, autori në një prej rrugëve hyrëse për në lagje ka ndalur një automjet "Benz", duke detyruar me armë dhe është larguar me të duke marrë peng drejtuesin e automjetit. Burime të policisë fillimisht pohuan se autori i vrasjes është larguar në këmbë, por më pas u shprehën se pengmarrja ishte vërtetuar.
Burimet thanë se dyshimet e para për vrasjen kanë qenë për motive të dobëta. Sipas burimeve nga policia pak kohë më parë autori i ngjarjes ka depozituar një denoncim për 50-vjeçaren Sheraj, pasi dy mbesat e tij kanë qenë të punësuara tek ajo. Burimet shprehen se ai ka akuzuar gruan se ajo i shfrytëzonte vajzat. Ndërkohë, një pistë tjetër është ajo e një lidhjeje mes autorit dhe viktimës.
Kjo e fundit ishte e divorcuar, nënë e tre fëmijëve. Qytetarë që kanë njohur gruan, kanë pohuar se autori ka pasur njohje e lidhje me viktimën. Para këtij lokali, ajo ka pasur një tjetër me qira në zonën përballë ambulancës qendrore të qytetit dhe 45-vjeçari Habilaj shkonte shpesh aty. Por ndërkohë, drejtues të policisë janë shprehur se mes autorit dhe viktimës nuk ka pasur asnjë lidhje.
"Habilaj ishte një person me probleme dhe që fantazonte shumë", janë shprehur ata, duke theksuar se 45-vjeçari kishte edhe precedentë penalë, pasi kishte qenë në burg jashtë vendit. Mësohet se ai ishte një njeri i vetmuar dhe vetë mbesat e tij nuk e donin dhe nuk i flisnin. Gjithsesi, ende nuk ka një version zyrtar për ngjarjen.
Një prej dëshmitareve që ka qenë pranë zonës së ngjarjes pohon për "Shekulli"-n se "ende nuk e kemi mbledhur veten nga paniku. Dëgjova tre krisma njëra pas tjetrës që u dëgjuan brenda lokalit dhe nuk mund të shihja mirë çfarë ndodhi, pasi lokali është me perde.
Vetëm pak si tym u duk dhe pas kësaj nga dera doli një burrë me automatik në dorë. Eci qetësisht dhe kemi ngrirë nga prania e armës. Ulërimat na bënë të kuptonim se brenda ndodhej dikush i vdekur".
Largimi nga vendngjarja, autori merr peng një person
Sipas burimeve të policisë, autori i ngjarjes është larguar me një automjet fuoristradë me targa të Vlorës. 45-vjeçari i ka drejtuar armën drejtuesit të automjetit duke i thënë të ndalonte. Urdhri ka qenë për t'u larguar jashtë Vlorës.
Nën kërcënimin e armëve drejtuesi i automjetit i është drejtuar rrugës në hyrje të qytetit në drejtim të Fierit dhe udhëtimi ka zgjatur deri në zonën dalëse të qytetit fqinj. Kanë qenë dëshmitarë okularë, të cilët kanë shpjeguar te specialistët e policisë se kanë parë autorin të hipte në një fuoristradë ngjyrë jeshile të errët.
Versioni i largimit është sqaruar më pas nga vetë pengu, i cili pasi ka tranportuar nën kërcënimin e armës autorin, ka bërë denoncimin në polici. Sipas burimeve, drejtuesi i automjetit ka shpjeguar se ka qenë në lëvizje, kur ka parë burrin t'i drejtojë armën.
Atij nuk i ka mbetur tjetër, veçse të frenonte dhe të bindej. "Nxito dhe mos bëj as zhurmën më të vogël". Kanë qenë këto fjalët që ka thënë vrasësi, i cili i ka kujtuar edhe më pas drejtuesit të automjetit se duhet ta çonte matanë Fierit dhe të mos i bënte asnjë pyetje. Pasi e ka zbritur ku i është dhënë "porosia", drejtuesi i automjetit ka njoftuar policinë për pengmarrjen.