E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Pagë deri në 18 vjeç për fëmijët e policëve të vrarë



Të gjithë policët e rënë në krye të detyrës dhe katër agjentët e policisë të vrarë më 7 gusht në një operacion për kapjen e një të shumëkërkuari, do të marrin statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, ndërkohë që familjet e tyre do të trajtohen financiarisht nga qeveria shqiptare. Këto deklarime u bënë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë ceremonisë përkujtimore të zhvilluar ditën e djeshme në nderim të 241 punonjësit e policisë të rënë në krye të detyrës. “I kujtojmë sot të rënët tanë, duke përkujtuar se sakrifica e tyre dhe e qindra anëtarëve të forcave të Policisë së Shtetit nuk ka shkuar dëm. Në një betejë dhëmbë për dhëmbë me krimin, ne ia kemi dalë ta zmbrapsim atë, ta bëjmë vendin tonë një nga vendet më të sigurta të kontinentit. Sot Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe aplikante për anëtarësim të plotë në BE, është një meritë e padiskutueshme e luftës pa kompromis dhe pa tolerancë ndaj krimit dhe antiligjit”, - deklaroi ministri Basha në ceremoninë e djeshme. Numri një i Ministrisë së Brendshme informoi se ndërkohë po përgatitet një projektvendim që do të shkojë për miratim në Këshillin e Ministrave për trajtimin financiar të familjeve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, ku përfshihet periudha që nga 31 marsi 1991 dhe shumë shpejt do të nisë puna për rishikimin e statusit të punonjësve të policisë. Sipas këtij projektvendimi, bashkëshortet e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë të ardhura të plota derisa fëmijët të arrijnë në moshën 18-vjeçare. “Borxhi që shoqëria ka ndaj jush nuk mund të lahet kurrë. Jo vetëm në shenjë mirënjohjeje, por si thelb i ekzistencës së çdo shoqërie, ne duhet të tregojmë se duke nderuar kujtimin e të rënëve nderojmë sakrificën për të ardhmen e gjithë shoqërisë”, - u shpreh Basha.

Ndërkohë që ministri i Brendshëm shtoi se lufta ndaj goditjes së krimit do të vazhdojë me përkushtim edhe më të lartë dhe se prioritete kyçe të qeverisë “Berisha” mbeten forcimi i kapaciteteve të Policisë së Shtetit, reformimi i vazhdueshëm, mbështetja ligjore dhe financiare e saj, si dhe trajnimi dhe përmirësimi i burimeve njerëzore. Basha foli edhe për fenomenet negative që dëmtojnë imazhin e punonjësve të policisë dhe simboleve të saj. “Në këtë ditë të nderimit për të rënët e policisë asgjë nuk është më e papranueshme për ne se cenimi i gjithçkaje, kjo uniformë përfaqëson për shtetin, shoqërinë dhe sakrificën e kolegëve tanë”, - u shpreh Basha, duke përsëritur zotimin se “lufta kundër korrupsionit në vetë strukturat e Policisë së Shtetit është dhe mbetet përkushtim madhor”. Në këtë ceremoni përshëndetën edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Ahmet Prençi, një kursante e Shkollës Bazë të Policisë dhe një përfaqësues i familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës. Në përfundim të ceremonisë, familjarëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari iu dorëzuan certifikatat e statusit “Dëshmor i Atdheut” dhe simboli “Familja e Dëshmorit të Atdheut”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ambasadori i SHBA-së, z. John L. Withers II, ambasadorja britanike, znj. Fiona Mcllewham dhe ambasadorja franceze, znj. Maryse Daviet. Pas ceremonisë, ministri i Brendshëm kreu homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit”, si dhe vendosi një kurorë me lule në nderim të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, si dhe zhvilloi edhe vizita të veçanta në familjet e “Dëshmorëve të Atdheut”, Altin Dizdari dhe Saimir Duçkollari.

Prençi përkujton punonjësit e rënë në krye të detyrës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, përkujtoi punonjësit e policisë të rënë gjatë detyrës dhe shtoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë që të luftojë krimin. “Heroizmi i tyre është dëshmi e vullnetit të palëkundur të Policisë së Shtetit për të luftuar me zero tolerancë krimin në çdo formë që shfaqet, për ta bërë jetën e qytetarëve më të sigurt. Vendosmëria jonë për t’i dhënë kriminelëve dhe krimit përgjigjen e merituar, mbetet e pacenuar, sikundër deri më sot”, - u shpreh Prençi. Gjatë ceremonisë së zhvilluar ai e quajti 26 tetorin, ditën e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, si një datë të shenjtë të policisë shqiptare. “Jemi mbledhur sot në këtë ditë të shënuar për Policinë e Shtetit, për të përkujtuar aktin sublim të 241 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët dhanë gjënë më të çmuar, jetën, në mbrojtje të vlerave më të larta që qëndrojnë në themel të një shoqërie demokratike. 26 tetori do të hyjë tashmë në historinë e Policisë Shqiptare si një datë e shenjtë”, - u shpreh numri një i Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›