E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paçarizi, kryetar i Bordit të RTK-së

Rrahman Paçarizi është zgjedhur kryetar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) me mandat dyvjeçar. Kurse nënkryetar do të jetë Aleksander Janiçeviq, i cili sipas shortit do të ketë mandat katërvjeçar.

Në hollin e Kuvendit të Kosovës, sot është bërë tërheqja e shortit nga vetë anëtarët e Bordit për kohëzgjatjen e mandatit të tyre.

Mandat dyvjeçar do të kenë: Rrahman Paçarizi, Avni Abazi dhe Shukrije Gashi; mandat trevjeçar: Arif Bozaxhiu, Shemsi Syla dhe Lindita Tahiri; kurse nga katër vjet, sipas shortit, këtë detyrë do ta mbajnë: Ali Podrimja, Naime Beqiri dhe Aleksander Janiçeviq.

Në mbledhjen e mbajtur më pas, me votat e anëtarëve të bordit, janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetari.

Kryetari i komisionit ad-hoc, Hajredin Kuçi, ka thënë se detyrë e komisionit ka qenë që ta sjellë bordin deri në gjendjen legjitime, kurse duke mos dashur të jetë i pranishëm në tërheqjen e shortit, ai u dëshiroi fat dhe punë të mbarë anëtarëve të bordit, të cilët pas tërheqjes së shortit kanë mandatin për të menaxhuar RTK-në.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›