Vlorë, vritet biznesmeni i ndërtimit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e Krishtlindjes qytetin bregdetar të Vlorës. Një biznesmen është ekzekutuar me armë zjarri pasditen e së djelës në rrugën “Transballkanike”, në afërsi të një kantieri ndërtimi ku po ndërtohej një pallat.
Ardian Dervishi ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës pak orë pasi është qëlluar me disa plumba në trup nga 31-vjeçari Adnan Gori, banor në lagjen “1 maji” në qytetin bregdetar.
Nga hetimet paraprake policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie, ndërkohë deklaron se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, 31-vjeçarin Adnan Gori.
Sipas burimeve, mësohet se ngjarja ka nisur fillimisht me një debat mes viktimës dhe autorit, dhe më pas gjithçka ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ku një nga pistat e hetimit mendohet të jetë ajo e aktivitetit të biznesmenit Dervishi në fushën e ndërtimit.