E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, vritet me armë 50-vjeçarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesditë në një nga lagjet e qendrës së Vlorës. Stoli Sheraj, 50 vjeç, e divorcuar, nënë e dy fëmijëve, ka qenë duke punuar në lokalin e marrë me qira prej saj në lagjen "28 nëntori". Në momentin e ngjarjes lokali ka qenë bosh, dhe Xhezo Aliaj, 45 vjeç, me kallash në dorë, ka hyrë në lokal dhe ka shkrehur armën në drejtim të viktimës, e cila ka vdekur në vend si pasojë e plumbave të shumtë të marra në gjithë trupin.
Pas ekzekutimit ai ka dalë në rrugë dhe me armën automatike, të tipit kallashnikov ka ecur për rreth 100 metra në këmbë, deri në dalje të kryqëzimit në rrugë kryesore dhe nuk është parë më. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur ekspertizën dhe hetimin. Sipas të dhënave paraprake ka rezultuar se viktima, Stoli Sheraj, dhe autori i ngjarjes Xhezo Aliaj, kanë pasur një marrëdhënie intime me njëri-tjetrin. Nuk dihen ende shkaqet e ngjarjes, por hamendësohet për motive xhelozie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›