Vlorë, zbulohen 95 kg bimë narkotike në një banesë
Policia e Vlorës nisi dje një operacion të gjerë antikanabis, që do të shtrihet gradualisht në të gjithë Qarkun, dita e parë e të cilit, u konkretizua me zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie prej 95 kg bimë narkotike. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Saimir Koçiaj, tha se sasia e bimës narkotike u zbulua në një banesë në fshatin Bashaj, 40 km në lindje të qytetit.
Sipas tij, kanabisi i vendosur në tre thasë plastikë ishte fshehur nën tokë. Koçiaj nuk dha të dhëna të tjera, por tha se policia po punon për kapjen e personit që ka lidhje me sasinë e mësipërme të bimëve narkotike. Në operacionin antikanabis janë përfshirë dhjetëra efektiva të policisë lokale, të cilët do të konkretizojnë në terren planin e hartuar për këtë fazë. Për disa muaj me radhë, strukturat e policisë, në bashkëpunim me të gjitha nivelet e qeverisjes vendore, deri në fshatra, zhvilluan një fushatë sensibilizimi përmes takimeve me komunitetin. Një javë më parë, gjatë një takimi të organizuar në mjediset e Drejtorisë së Policisë, me përfaqësues të qeverisjes dhe institucioneve vendore, u ripërsërit vendosmëria për ti dhënë fund dukurisë së kultivimit të bimëve në qarkun e Vlorës. Gjatë tre viteve të fundit, kjo dukuri ka shënuar një ulje të ndjeshme, aq sa në mjaft zona dikur problematike, ajo shfaqet tashmë në raste sporadike. Vitin e kaluar u identifikuan 102 raste të kultivimit, ku u asgjësuan 18 802 rrënjë bime narkotike, gjë që përbën treguesin më të ulët në të gjithë periudhën kur është shfaqur kjo dukuri në vendin tonë. Për rastet e identifikuara, janë penalizuar 16 autorë, të cilët janë përballur me drejtësinë.