E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja, kush i përcaktonte njerëzit që do të vuanin në burgjet politike!

Nga Bedri ÇOKU
Kohët e fundit kam qenë i përfshirë në ca meremetime brenda shtëpisë time dhe nuk kam pasur mundësi të ndjek disa emisione televizive, sidomos diskutimet e forcave politike në garën paraelektorale që organizon shpesh televizioni Klan, në emisionin Opinion. Por, gjithsesi, nuk mund të them se kam shpëtuar nga përshtypjet e njerëzve të tjerë, shokëve dhe miqve të mi, rreth këtyre emisioneve. Ai më mbresëlënësi, sipas tyre,  paskësh qenë, kohët e fundit, përballja  e Ridvan Bodes dhe Majlinda Bregut, me ekonomistët socialistë, Beqen dhe Bushatin, dy figura të reja këto në prurjet e lëvizjes Përtej së majtës e së djathtës që promovon lideri i ri i së majtës socialiste. Është e natyrshme që garistët të turren me furi ndaj njeri-tjetrit daç në parime, daç për shifrat, daç edhe për arritjet e mosarritjet e maxhorancës, që ti mbushin mendjen elektoratit për ti votuar ose jo ... por... kurrsesi nuk mund të garojnë lidhur me të kaluarën e tyre  biografike, të mirë apo të keqe, siç i përcaktonte diktatura komuniste njerëzit pro dhe kundër tyre, e cila, sido që ti përcaktonte në këto dy sense, gjithsesi ishte e trishtueshme dhe fatkeqësi e madhe.E para, sepse ai me biografi të mirë ishte i detyruar të zbatonte me besnikëri vendimet e partisë e të pushtetit të diktaturës së proletariatit, pra, me dëshirë apo pa dëshirë ishte i detyruar që të ushtronte diktaturën tek njerëzit me biografi të keqe dhe mbi popullin e thjeshtë. Ndryshe e prisnin pasojat e  rënda, deri në internime dhe burgosje... Ata që përpiqen sot të thonë se në atë kohë kanë qenë të butë e liberalë, gënjejnë dhe mashtrojnë në mënyrë të paturpshme. Nuk meritojnë ti dëgjosh apo ti vlerësosh si njerëz të sinqertë e përparimtarë, të cilët gjoja mendojnë sinqerisht për të ardhmen e shqiptarëve... Këto të vërteta që do të them, sa të hidhura aq edhe të dhimbshme, më detyroi ti them në këtë shkrim deklarata e të riut socialist,  Bushatit, në emisionin Opinion gjoja se, i ati i tij, Sulejman Bushati, Sekretar i Parë i Partisë së Punës në disa rrethe të vendit, paskësh qenë njeri i mirë e liberal dhe si ka bërë kurrkujt në botë një të keqe. Unë e kuptoj se kjo është një deklaratë naive, idiote dhe cinike deri në ulërimë, por jo ulërimë për atë që e bënë këtë deklaratë, sepse ai është i biri i Sekretarit të Parë dhe i babait komunist, njëkohësisht, ulërima është e atyre që vuajtën dhe humbën rininë apo jetën nga vendimet e Sekretarëve të Parë të diktaturës komuniste. Pse them nga vendimet e Sekretarëve të Parë, në këtë rast? Ndërsa    njëkohësisht, Bushatit riosh i jap të drejtë që thotë ashtu për të atin, edhe pse i ati ka qenë në një pozicion shumë të lartë partiak në diktaturë, sepse për të birin ai ka qenë mu tamam siç do ta dëshironte të ishte edhe sot në demokraci: I mirë e liberal!. Pse e   thotë kështu? Sepse askush nuk i ka thënë atij se i ati ka internuar e burgosur njerëz të pafajshëm... e me të drejtë ndjehet krenar për babain e vet, me poste të larta në diktaturë  e të mira materiale, sepse ai e të tjerë si ai, që u rritën e po jetojnë të lirë në demokraci,     nuk kanë dëgjuar të thuhet kurrë se komunistët, sidomos ata që ishin në pozicione të larta  partiake kanë qenë organizatorët dhe zbatuesit më të devotshëm të diktaturës së proletariatit, kur, edhe pas 18 vjetësh gjoja në demokraci, krimet e tyre jo vetëm që nuk janë dënuar nga shteti demokratik, përkundrazi, me një strategji të re po kapërcehen për  tu harruar njëherë e përgjithmonë, sapo të triumfojë teoria e bijve dhe nipërve të tyre ... Përtej së majtës e së djathtës... e cila do të sanksiononte përfundimisht që, në diktaturën komuniste, nuk kanë qenë fajtorë ata që e ushtruan atë, por ata që e kundërshtuan diktaturën dhe u flijuan për ta mundur atë. Sepse të thuash sot, pas kaq vitesh në demokraci, se Partia Socialiste na qenka vazhduesja e Partisë së Punës Komuniste dhe e krimeve të kriminelëve, pse në të militojnë ende protagonistët e diktaturës,  ska sesi të mos quhesh  një prapanik i politikës së vjetër që nuk i lë të qetë ata që vuajtën shumë për të mposhtur kundërshtarët e regjimit komunist, duke i vrarë, varur dhe grabitur për qëllime  madhore: triumfin e komunizmit në botë!...
Nuk e di se pse e sollën dhe e lanë gati dy javë të ndjerin Anton Sheti, eksponentin e lartë të Ministrisë Punëve të Brendshme, në dhomën tonë, në burgun e Burrelit, pasi partia e tij   e dënoi si armik e tradhtar të vendit e të partisë. Sepse pastaj ai kaloi tek Mesi, siç quhej vendi në atë burg, ku vuanin pikërisht ata që kishin qenë në pozicione të larta në nomenklaturën komuniste. Anton Sheti, për ato pak ditë që ndenji midis nesh, la mbresa të mira dhe u tregua i sinqertë. Na tha disa gjera për të cilat nuk i dinim ose i dinim turbull. Na Tregoi edhe për Enverin që po tretej shumë dhe e kishte humbur toruan kohët e fundit, ndërsa shtetin dhe qeverinë po drejtonte Ramizi me Nexhmien. Aludoi edhe për mundësinë e arrestimeve të tjera dhe eliminimin e disa të tjerëve që mbanin poste të rëndësishme, por pa përmendur emra... Ndërsa pyetjes që i bëri një fakir fukara i cili kishte qenë partizan gjatë Luftës së Dytë botërore dhe vuante në burg pse i kishte thënë Hysni Kapos se udhëheqja e lartë sduhet të mbante shërbëtore në shtëpi, njëlloj si borgjezët që këta i kishin përmbysur, se cilat ishin kriteret e arrestimeve për njerëzit me biografi të mirë kur, pikërisht një pjesë e mirë e tyre që po vuanin nëpër burgje nuk u kishte shkuar kurrë ndërmend ti kundërviheshin pushtetit popullor, përgjigja ishte vërtet e çuditshme dhe e paimagjinueshme.
- Çdo vit, iu përgjigj Antoni i sinqertë, Ministria e Brendshme i dërgon Sekretarëve të Parë të rretheve shifrën e njerëzve që duhet të arrestohen si armiq. Kjo shifër është e ndryshme, sipas rretheve. Kontigjenti i parë për tu arrestuar, kuptohet janë nga të klasave të përmbysura dhe kundërshtarë të regjimit; pastaj vijnë njerëzit nga familjet e dorës tonë, por që kanë filluar të ngrenë bishtin, nga mirëqenia apo hardallosja pas televizorit. Numri i të arrestuarve që dërgon për çdo vit nëpër rrethe Ministria e Brendshme është sekret, të cilin e dinë vetëm dy vetë në çdo rreth. Sekretari i Parë i rrethit dhe Kryetari i degës së punëve të brendshme. Këta  të dy janë ata që të bëjnë gjëmën, që kanë fatin e njerëzve në dorë. Pikërisht këta të dy vendosin  nëse duhet të jetojë një njeri i lirë apo i burgosur. Pavarësisht nëse ka faj apo jo... Nëse duhet të jetë një njeri spiun i Degës së Punëve të Brendshme apo jo... Shifra e të arrestuarve nëpër rrethe jepet në bazë të kërkesës që paraqet Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve për punëtorë në minierat që shfrytëzohen, në këtë rast, nga të burgosurit politikë. Por është edhe kërkesa e Sigurimit të Shtetit për të krijuar në raste të veçanta, situata terrori në rrethe dhe vende të veçanta... Ndoshta kjo qe edhe arsyeja, mendoj unë, që Anton Shetin e larguan urgjentisht nga dhoma e jonë, për ta bashkuar me ata të Mesit... me shokët dhe miqtë e tij që dergjeshin atje të ndëshkuar rëndë nga diktatura komuniste pse kishin guxuar të zbusnin luftën e klasave...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›