E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Mazhoranca e Gërdecit nuk mund të jetë alternativë fitoreje

Partia Demokristiane ka çelur fushatën në qarkun e Vlorës, ku dhe kanë prezantuar 12 kandidatët për këtë qark. Kreu i kësaj partie Nard Ndoka ka qenë në një takim me simpatizantë dhe anëtarë të kësaj partie, i shoqëruar edhe nga 4 deputetë të PDK-së, në Kuvendin aktual. Në fjalën e tij, kreu i PDK-së, Ndoka hodhi akuza kundrejt pozitës dhe opozitës, ku deklaroi se kjo qeveri e dështuar vetëm shëndetësinë ka pasur arritje në këto katër vjet dhe se mazhoranca e Gërdecit nuk mund të jetë një alternativë fitoreje, pasi Berisha sipas tij nuk mban afër njerëzit që punojnë. Ndërsa lidhur me opozitën, Ndoka u shpreh se ajo është totalisht e pafuqishme dhe e paorganizuar. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryetari demokristian Ndoka, preku disa nga çështjet më të diskutueshme dhe problematike në vend, si çështja çame, kthimi i pronave, pasiguria në vend. Ndoka e cilësoi çështjen çame, një çështje kombëtare, dhe jo vetëm një problem të këtij minoriteti siç është trajtuar gjithmonë. PD vjen me përsëritjen e të njëjtave premtimeve të pa mbajtura që bëri në fushatën elektorale të vitit 2005: kthimin e pronave, dëmshpërblimin dhe integrimin e ish të dënuarve politikë, luftën kundër korrupsionit. Në të tre këto objektiva madhor qeveria e tanishme ka dështuar. Poli i Qendrës në koalicionin e deritanishëm me 6 parti të tjera, i cili do të kryesohet nga Aleksandër Meksi, që ka qenë dhe kryeministri që ka drejtuar qeverinë më të rëndësishme të shqiptarëve do të jetë një koalicion fitues në 28 qershor, duke u bërë një alternativë për krejt shqiptarët, ka theksuar Ndoka. Sipas tij, vetëm Poli i Lirisë, jep një garanci përfundimtare të çështjes së pronës, e cila nuk mund të zgjidhet nga qeveri të majta, pavarësisht flamujve që tundin dhe premtimeve boshe që bëjnë. Për fat të keq, pronar të tokave të shqiptarëve në këto 4 vjet u bënë Fazlliçët dhe serboboshnjakët e tjerë. Është e qartë se njohjen e pronarëve të ligjshëm dhe kthimin e pronës tek pronarët legjitim nuk mund ta bëjnë ish-komunistët e djeshëm dhe proletarët dhe matrapazët e politikës së sotme, deklaroi më tej Ndoka, duke veçuar se Poli i Lirisë garanton përfaqësimin e pronarëve legjitim në Kuvendin e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›