E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, zjarret rëndojnë situatën në Pishë Poro, policia nis hetimet

VLORE- Paraqitet edhe sot ende e rënduar gjendja e krijuar nga zjarri gjatë dy ditëve të fundit në pyjet e Pishë Poros, 25 km në veriperëndim të Vlorës.

Zjarrfikësit që po punojnë në terren pa ndërprerje prej 3 ditësh shprehen se ka ende vatra të ndezura aktive qe vijojne te djegin pisha, shkurre ne Pishe Poro. Ata janë përpjekur t’i lokalizojnë disa prej tyre, por shprehen se ka ende vatra të tjera aktive. Tymi që po shkrumbon pishat ndërkohë shihet me sy të lirë dhe në qytet.
Ndërkohë pritet mbërritja e një avioni special nga Italia, që do të përfshihet në këtë operacion, i cili më pas mund të vihet në mbështetje edhe të rasteve të tjera të zjarreve në vend.
Nga përllogaritjet paraprake mendohet se, zjarri që u shfaq dy ditë më parë në pyjet e Pishë Poros, ka shkrumbuar plotësisht një sipërfaqe prej të paktën 150 hektarësh me pisha.
Këto pyje që shtrihen në pjesën bregdetare, janë ndër më të mëdhatë në Qarkun e Vlorës, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 2000 hektarësh.

Po sot Policia e Vlorës nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit në pyjet e Pishë Poros, 25 km në veriperëndim të qytetit.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se, "nga Seksioni Kundër Krimit ndaj Pasurisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë filloi procedimi penal dhe po punohet për zbulimin e plotë të shkaqeve të rënies së zjarrit në pyjet e Pishë Poros në komunën Novoselë".
Në procedurat e para hetimore, thanë burimet, janë shoqëruar në komisariat një numër personash, mes të cilëve edhe punonjës të firmës private të sigurisë "Alsig", me administrator 43 vjeçarin Festim Toja, që kishte marrë në ruajtje këtë sipërfaqe pyjore.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›