Vodafone fiton çmimin e Filantropisë së Biznesit 2011
Vodafone Albania tashmë është një biznes i mirënjohur jo vetëm për shërbimet e telekomunikimeve celulare, por edhe për kontributet e rëndësishme kundrejt individëve dhe kategorive sociale në nevojë përmes projekteve të përgjegjshmërisë sociale të realizuara nëpërmjet Fondacionit Vodafone Albania në mbarë Shqipërinë. Dje, gjatë mbrëmjes gala të dhënies së çmimeve vjetore të Filantropisë, organizuar nga ‘Partners Albania’ me mbështetjen e Fondacionit Rockefeller Brothers, kompanisë Vodafone Albania iu akordua çmimi i Filantropisë së Biznesit nën kategorinë “Kontributi më i mirë në nivel kombëtar”. Çmimi për Vodafone u dorëzua nga ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu. Duke marrë çmimin, drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Haris Broumidis vlerësoi organizatorët për nismën e tyre të identifikimit dhe nxitjes së përpjekjeve filantropike dhe falënderoi partnerët, me të cilët Vodafone bashkëpunon në realizimin e projekteve me ndikim social.