E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni, Policia Bashkiake heq tregtarët ambulantë

Policia Bashkiake ka kryer një aksion për lirimin e hapësirave dhe rrugëve të zëna nga tregtarët ambulantë në zonën e Stacionit të Trenit. Aksioni është ndjekur nga afër edhe nga kryetari i minibashkisë Nr.9, Indrit Fortuzi. “Kemi ardhur në zonën e Stacionit të Trenit, ku në bashkëpunim me Policinë Bashkiake po lirohen zonat e zaptuara nga objekte të ndryshme. Po bëjmë zhbllokimin e kësaj zone dhe të rrugës që shkon drejt ALUIZNI-t, për lirimin e atij lloj tregu të sajuar nga njerëzit. Këtu ka edhe një projekt për të vazhduar bulevardi, por heqja e tregtarëve ambulantë nuk ka lidhje me projektin, po me ankesat që kanë bërë banorët”, - tha Fortuzi. Por ndërsa tregtarët pretendojnë që u kanë dhënë qira banorëve të shtëpive ku kanë operuar dhe përdorur si treg dhe ende nuk dinë se ku do të shërbejnë aktualisht, Fortuzi shprehet se për studimin e tregjeve është një projekt nga Bashkia për krijimin e tregjeve të reja në të gjithë Tiranën. “Sa për banorët të cilët kanë marrë shtëpitë me qira, ata kanë marrë ambientet e shtëpive, por nuk kanë marrë vendin për të shitur, nuk mund të zaptojnë dot rrugën për të shitur e kaluar jashtë territorit të shtëpisë, pra kanë shfrytëzuar pjesën e përbashkët”, - sqaron kreu i minibashkisë Nr.9. Aksionet e Bashkisë për lirimin e hapësirave në kryeqytet pritet që të vazhdojnë edhe në javët në vazhdim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›