E Diel, 1 Nëntor 2026

Invalidët padi në Prokurori, 10 mijë abuzues në lista

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-12-2011 12:24

Shoqatat: Në lista janë përfshirë politikanë, persona publikë, biznesmenë, persona që kanë vdekur dhe individë të tjerë, të cilët janë regjistruar si të verbër apo invalidë për të përfituar nga shteti kompensimin e faturave të energjisë elektrike. Shërbimi Social nis verifikimin e listave, pasi ka mospërputhje midis atyre të shoqatave dhe të kompanisë “CEZ”

Shoqatat e personave me aftësi të kufizuara kanë paditur në prokurori abuzimet me listat e personave që kompensohen nga qeveria për energjinë elektrike, si dhe përfitimet e tjera që këto kategori marrin nga shteti. Sipas drejtuesve të Shoqatës së të Verbërve dhe asaj të Para dhe Tetraplegjikëve, në listën e personave të cilëve qeveria u rimburson 80 për qind të faturës së energjisë elektrike ka mbi 10 mijë emra që përfitojnë në mënyrë abuzive. Në mes tyre radhiten politikanë, persona publikë, biznesmenë, persona që kanë vdekur dhe individë të tjerë, të cilët janë regjistruar si të verbër apo invalidë për të përfituar nga shteti kompensimin e faturave të energjisë elektrike, karburantit dhe lehtësi të tjera fiskale. “Qoftë në listat e përfitimit të energjisë elektrike, qoftë në listat e përfitimeve të tjera, përfshirë edhe karburantet, ka një numër të madh të abuzuesve që ndodhen në këto përfitime. Buxheti i shtetit është stërfryrë dhe ne dyshojmë se nga këto lloj abuzimesh, qeveria nuk do të mund të orientohet për të gjetur dhe për të goditur korrupsionin dhe abuzivizmin, por do të marrë masa shkurtimi. Aty ka edhe firma, edhe biznese, edhe personalitete, të cilët duhen verifikuar sepse ata mund të jenë qiraxhinj të dikujt”, - thotë Sinan Tafaj, president i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara. Kreu i Shoqatës së të Verbërve, pa dashur të bëjë publikë për momentin emrat e listës që është siguruar në mënyrë konfidenciale, kërkon verifikimin e saj dhe ndëshkimin sipas ligjit të abuzuesve. Ndërkohë, drejtues të Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), ku personat me aftësi të kufizuara pajisen me librezën përkatëse, thonë se edhe nga ana e tyre ka nisur një verifikim i tillë, duke bërë ballafaqim me listat e CEZ-it, ku ka mospërputhje me atë të shoqatave. Sipas Shërbimit Social, në Shqipëri janë 17 mijë të verbër dhe paraplegjikë. Ndërsa sipas shoqatave dhe kompanisë CEZ, nga kompensimi i faturave të energjisë përfitojnë 25 mijë persona, ku për invalidët 10 mijë prej tyre janë përfitues abuzivë që nuk kanë asnjë lidhje me statusin e tyre. Duke mos e përjashtuar mundësinë e falsifikimeve, drejtues të Shërbimit Social shprehen se listat e personave me aftësi të kufizuara vijnë nga njësitë vendore. “Dosja vjen nga njësitë e pushtetit vendor dhe më pas kalon në komision dhe komisionohet. Është një ekip ekspertësh, si për verbërinë ashtu edhe për para dhe tetraplegjinë, të cilët vlerësojnë shkallën e sëmundshmërisë së personit që paraqitet për t’u komisionuar. Persona të verbër vetëm për 9-mujorin sipas statistikave zyrtare që ne kemi, janë 11 560, të cilët kanë përfituar nga ky status. Para dhe tetraplegjikë janë 5545 persona. Nuk mund të flas me kompetencë për falsifikimet, por nuk mund t’i përjashtoj ato”, - deklaron kreu i Drejtorisë së Pagesave në “Cash” në SHSSH, Leonard Strazimiri. Përfaqësues të shoqatave thonë se në Shqipëri numërohen rreth 15 mijë persona me aftësi të kufizuara, ndërkohë që nga kompensimi i energjisë elektrike përfitojnë 25 mijë persona. Të gjitha këto të ardhura kanë krijuar në “gropë” në buxhetin e shtetit, ndërkohë që në buxhetin e Ministrisë së Punës, ¼ e zënë pikërisht fondet për personat me aftësi të kufizuara, që përkthehen në 12.4 miliardë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›