E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i shtetit shtyhet për në janar 2012

Testimet për profesionet e rregulluara do të nisin pas datës 15 janar, me 1500 të diplomuarit në Infermieri

Provimi i shtetit për profesionet e rregulluara do të bëhet pas datës 15 janar. Megjithëse fillimisht ishte përcaktuar që testimet për të marrë licencën e profesionit do të zhvilloheshin në nëntor të këtij viti, afat që u spostua për në dhjetor, tashmë autoritetet e Arsimit deklarojnë sërish shtyrje të provimit të shtetit. Kështu, sipas afateve të reja të vendosura nga Ministria e Arsimit, në muajin janar të vitit që vjen, të sapodiplomuarit e degës së Infermierisë do të zhvillojnë provimin e shtetit. Në këtë drejtim janë 1500 të diplomuar që do t’i nënshtrohen testimit. Më pas provimi do të vazhdojë me degët e tjera të mjekësisë. Për Veterinarinë është vendosur që provimi i shtetit të kryhet në muajin prill të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, për degët inxhinierike, provimet e shtetit janë menduar të jepen të fundit, pasi duhet të vendoset nëse këto fakultete do të ngrenë urdhra, apo administrimi i studentëve do të kryhet nga institucionet shtetërore. Lidhur me procedurat e testimit, ekspertët e arsimit deklarojnë se nuk ka vend për abuzime, sepse kandidatët do të ballafaqohen me përgjigjet nëse janë të sakta ose jo që në momentin kur mbarojnë provimin. Siç është përcaktuar tashmë, provimi do të jetë elektronikisht dhe fillimisht do të vendoset gishti në aparaturë, ku do të dalin në ekranin e kompjuterit të dhënat personale të kandidatit dhe më pas do të testohen. Autoritetet e arsimit shpjegojnë se testi do të ketë 50 pyetje me alternativa, të cilat do të jenë të ndara sipas nivelit, të lehta, mesatare dhe të vështira, ndërsa koha në dispozicion do të jetë 60 minuta. Duke qenë se të gjitha pyetjet janë me alternativa, ekspertët e arsimit shpjegojnë se kandidatët duhet të tregojnë kujdes, sepse vetëm një nga alternativat është përgjigje e saktë. Aktualisht, kandidatët e regjistruar në urdhrat profesionalë përkatës për t’iu nënshtruar provimeve të shtetit janë pajisur me programet e lëndëve, si dhe me pyetjet për secilin specialitet. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar së fundi edhe faturën e arkëtimit të tarifës për provimin e shtetit, ndërkohë që pagesa duhet bërë në një nga bankat e nivelit të dytë. Kur kandidati do të paraqitet për provim, para se të hyjë në sallë, duhet të dorëzojë tek AKP-ja një kopje të faturës për arkëtim dhe kopjen e mandatit të bankës që i përket kësaj pagese, të vulosura nga banka apo posta ku është kryer pagesa. Gjithashtu, kandidati ditën e provimit duhet të ketë me vete edhe kartën e identitetit dhe një fotokopje të saj të panoterizuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›