E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e fundvitit, hapet fshati turistik te Pedonalja

Basha: Në dekorin për festat nuk është harxhuar dhe nuk do të harxhohet asnjë qindarkë taksapaguesish shqiptarë, gjithçka vjen me kontributin vullnetar të bizneseve të kryeqytetit

Rruga pedonale “Murat Toptani” në kryeqytet është shndërruar në “Qytezën e festave të fundvitit”, ku janë ngritur shtëpiza të vogla prej druri. Kjo qytezë që gjendet në zemër të Tiranës, përveçse një vend argëtimi për qytetarët është edhe një mundësi e mirë marketingu për kompanitë më të njohura që operojnë në tregun shqiptar. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha mori pjesë pasditen e djeshme në ceremoninë e hapjes së “Qytezës së festave të fundvitit”. “Rruga ‘Murat Toptani’ përgjatë të gjithë sezonit të festave të fundvitit do të ketë këtë pamje të veçantë, do të ketë këtë atmosferë dhe oferta të veçanta për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të gjithë qytetarëve të tjerë që gjenden në Tiranë, nga mëngjesi në orët e vona të darkës. Kjo atmosferë festive e cila zbret në Tiranë, falë idesë të ekzekutuar mjeshtërisht nga ‘Iceberg Communication’ dhe nga kompania që përgatiti këto strehëza festive, i ka munguar Tiranës. Është një traditë dhe zakon i të gjitha kryeqyteteve të Europës dhe sot vjen në Tiranë si përgjigje ndaj kërkesave me standard europian të qytetarëve të Tiranës”, - tha kryebashkiaku në fjalën tij të rastit. Kryetari i bashkisë theksoi se për krijimin e kësaj atmosfere festive nuk janë përdorur taksat e qytetarëve, por të gjitha janë financime të biznesit. Ndërkaq, Basha premtoi se “bashkia do të realizojë dhjetorin festiv për Tiranën, ku do të ketë festë për të gjithë qytetarët”. “Kemi premtuar një dhjetor të veçantë festiv për Tiranën dhe do ta bëjmë realitet në të gjitha lagjet e qytetit tonë, në mënyrë që askush mos të ndihet i përjashtuar nga kjo festë dhe që përpjekja jonë sado pak modeste të prekë çdo qytetar të Tiranës. Por ky është një moment i veçantë falënderimi për përkushtimin qytetar që ka bashkuar dhjetra biznese të Tiranës, sepse duhet ta dini se në përgatitjet e këtij fundviti nuk është harxhuar dhe nuk do të harxhohet asnjë qindarkë taksapaguesish shqiptarë dhe gjithçka vjen me kontributin vullnetar të bizneseve të kryeqytetit tonë”, - deklaroi Basha. Sipas tij, kjo është shenja më e qartë e besimit që këto biznese, sikundër të gjithë qytetarët kanë tek e ardhmja e qytetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›