Gjermanishtja, Tafaj: Gjuhë e dytë në shkolla
Ministri i Arsimit: Ne po punojmë me drejtoritë rajonale dhe me shkollat që gjuha gjermane të shtrihet në shkolla si gjuhë e dytë. Gjermania njeh Maturën Shtetërore, të rinjtë shqiptarë pranohen në universitetet gjermane pa provime shtesë
Pas anglishtes, nxënësit do të mësojnë në shkolla si gjuhë të huaj të dytë gjermanishten. Deklarata është bërë dje nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në një konferencë të organizuar nga Agjencia qendrore për shkollat jashtë vendit (ZfA), ku ka marrë pjesë edhe ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Myler Holtkemper. Ministri i Arsimit, duke e cilësuar si të suksesshëm projektin dygjuhësh në shqip dhe gjermanisht, i aplikuar në 4 shkolla në kryeqytet, ka bërë të ditur se futja e gjermanishtes si gjuhë e dytë në shkollat e mesme dhe në universitetet publike do të jetë një ndër prioritetet e Ministrisë së Arsimit. “Ne po punojmë me drejtoritë rajonale dhe me shkollat që gjuha gjermane të shtrihet në shkolla si gjuhë e dytë, pra nxënësit të kenë mundësi ta zgjedhin, por edhe si gjuhë e parë. Do përpiqemi që në universitete të ofrohet gjuha gjermane për të gjithë studentët që duan ta mësojnë atë në kohën e lirë. Politika jonë me seksione bilinguale, jo vetëm për gjermanishten, por edhe për frëngjishten e italishten po shfaqet si një politikë tërësisht e suksesshme”, - tha ministri Tafaj. Krijimi i lehtësirave të pranimit në universitetet gjermane është pjesë e projektit të gjuhës gjermane, i cili po zbatohet prej 2 vitesh në Shqipëri. Falë këtij projekti, Gjermania njeh tashmë Maturën Shtetërore të vendit tonë, duke i pranuar në universitete të rinjtë shqiptarë që kanë përfunduar gjimnazin në seksionet dygjuhëshe shqiptaro-gjermane, pa qenë nevoja për provime shtesë. Kështu, 51 maturantët e parë të seksionit dygjuhësh shqiptaro-gjermane që kanë kaluar me sukses provimet e Maturës Shtetërore me mesataren 8 në lëndë të testuara në shqip e gjermanisht, janë pranuar me këto rezultate në universitetet gjermane pa iu nënshtruar testimeve të tjera. Ambasadorja Holtkemper tha se Gjermania zë vendin e tretë për sa i takon mundësive që u jep studentëve të huaj të studiojnë në universitetet e saj. Ndërkaq, ajo është shprehur optimiste se shumë shpejt do të dyfishohet numri i gjimnazistëve që duan të studiojnë në Gjermani. Në Tiranë, gjuha gjermane mësohet në tri shkolla 9-vjeçare: “Fan Noli”, “Avni Rustemi” dhe “Jeronim de Rada”, si dhe në gjimnazin dygjuhësh “Sami Frashëri”. Sot në këto shkolla numërohen 448 nxënës, të cilët mësojnë 5 orë gjuhë gjermane në javë.