Vogs, eksperimente kundër Shqipërisë
Trajneri i Azerbajxhanit, Berti Vogs, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për miqësoren me Shqipërinë. Tekniku gjerman synon të eksperimentojë në sfidën që do të luhet më 19 nëntor në Baku, pasi ka ftuar në skuadër disa lojtarë të rinj, ku për katër prej tyre kjo do të jetë hera e parë që veshin fanellën e kombëtares. Bëhet fjalë për Tural Jalilov (Simurg), Zahid Gulijev (MOIK), Mikhail Zaitsev (Dizel, klub i kategorisë së dytë ruse) dhe Novruz Mamadov. Fakti i çuditshëm është se për ndeshjen me kuqezinjtë, Vogs grumbulloi në skuadrën azerbajxhanase katër portierë. Edhe Shqipëria ka thirrur disa "fytyra të reja", ku spikasin shkodranët Gilman Lika dhe Xhevahir Sukaj, që luajnë me Haxhetepen në Turqi. Takimi do të luhet në stadiumin "Tofig Bahramov", në orën 20.00 (me orën lokale).